Rekord në artin modern, portreti i Klimt që u shpëtoi nazistëve shitet 236.4 milionë dollarë

Një vepër monumentale nga artisti austriak, Gustav Klimt, ka thyer rekordin botëror për një vepër arti modern. Piktura “Bildnis Elisabeth Lederer” (Portreti i Elisabeth Lederer) u shit në ankandin e Sotheby’s në Nju Jork për një shifër marramendëse prej 236.4 milionë dollarësh, pas një lufte ofertash që zgjati 20 minuta.
Ky çmim jo vetëm theu rekordin e mëparshëm të mbajtur nga portreti i Marilyn Monroe i Andy Warhol (195 milionë dollarë, 2022), por vë në pah edhe rëndësinë historike të veprës, e cila luajti një rol në shpëtimin e subjektit të saj.
Historia që ia doli të mbijetojë
Portreti 1.8 metra i gjatë, i pikturuar midis viteve 1914 dhe 1916, përshkruan Elisabeth Lederer, vajzën e një prej familjeve më të pasura hebreje të Vjenës.
Pas aneksimit të Austrisë në vitin 1938, nazistët plaçkitën koleksionin e pasur të familjes Lederer. Megjithatë, portreti i Elisabeth u la mënjanë, pasi u konsiderua si “shumë hebrej” për t’u vjedhur.
Në një përpjekje për të shpëtuar veten nga persekutimi, Elisabeth Lederer shpiku historinë se Klimt – i cili nuk ishte hebre – ishte babai i saj. Duke përfituar nga fakti që artisti kishte punuar me kujdes në portretin e saj për vite me radhë dhe me ndihmën e një ish-kunati (një zyrtar nazist), ajo arriti të sigurojë një dokument që vërtetonte prejardhjen nga Klimt. Kjo i lejoi asaj të qëndronte e sigurt në Vjenë deri në vdekjen e saj në vitin 1944.
Portreti i shkëlqyer ishte pjesë e koleksionit të miliarderit Leonard A. Lauder, trashëgimtarit të gjigantit të kozmetikës Estée Lauder, koleksioni i të cilit kapte vlerën e mbi 400 milionë dollarëve.
/rtsh.al/