Rëndësia e deklarimit të minimumit jetik zyrtar
Endrit Avdullari / Ekonomist
I nderuar z. kryeredaktor!
12.5% e shqiptarëve jetojnë nën minimumin jetik. Shifrat janë të vitit 2008 dhe llogaritjet janë bërë nga Banka Botërore (BB). Ajo tregon qartë se një në tetë shqiptarë nuk mund të përballojë shpenzimet e jetesës për ushqim, veshmbathje, strehim dhe kujdes shëndetësor. Shifra, dhe pse ende shumë e lartë, ka ardhur në rënie duke u përgjysmuar nga viti 2002. Të dhënat janë të pakrahasueshme në nivel ndërkombëtar, pasi BB e bën vlerësimin në bazë të vendit ku bëhet studimi. P.sh., një i varfër në Suedi është në pozita pa dyshim shumë më të mira se një i varfër në Shqipëri.
Një shifër e krahasueshme është ajo e fuqisë blerëse. Standardi i vendosur është nën 2$ të ardhura në ditë për të qenë i varfër dhe nën 1.25$ për t`u konsideruar si i varfër ekstrem, pra i pamundur për të mbijetuar me aq të ardhura. Në Shqipëri 4.3% janë nën standardin e dy dollarëve. Maqedonia është të njëjtin nivel me ne, vendet e tjera të rajonit e kanë varfërinë nën 0.5%. Për sa i përket varfërisë ekstreme, logjika cinike do të sugjeronte që kjo shifër është gjithmonë afër zeros, sepse këta persona janë detyrimisht një hap larg vdekjes, pasi me aq të ardhura nuk mund të mbijetohet. 0.6% e shqiptarëve janë nën këtë prag. Duket pak?! 20.000 shqiptarë mund të vdesin në çdo moment nga uria! Maqedonia e ka këtë kategori dy herë më të ulët se ne në përqindje, vendet e tjera të rajonit e kanë këtë shifër 0-0.1%.
Qeveria shqiptare, ndërkohë nuk deklaron zyrtarisht minimum jetik. Minimumi jetik nuk është thjesht një shifër në letër. Deklarimi zyrtar nuk bëhet, sepse qeveria do të ishte pastaj e detyruar të merrte masa që çdo shtetas të kishte të paktën aq të ardhura sa kjo shifër. Kjo do të thotë që bursa e një studenti të jetë disa herë më e lartë se thjesht pagesa e një krevati dhe radhë në dushe në Qytet Studenti dhe këtë ta përfitojnë të gjithë ata që nuk i plotësojnë këto të ardhura, jo të jepet me lotari. Kjo do të thotë që ndihma sociale duhet të ndihmojë një familje të paguajë për qiranë, rrobat, ilaçet dhe ushqimin dhe jo ta detyrojë atë të zgjedhë njërën prej tyre. Kjo do të thotë që një pensionist ta përballojë vetë jetesën me anë të pensionit të shtetit dhe djali që punon në Greqi t`i kursejë paratë për investime në atdhe, jo për të mbajtur prindërit.
Ministri i Financave, z. Bode, është pa dyshim ndër ministrat më kompetentë të qeverisë Berisha. Ai është i vetmi që mbaj mend të ketë hapur 2-3 herë debat me kryeministrin dhe të ketë ruajtur sërish pozicionin e tij, sepse edhe kryeministri ia di vlerën. Ai e di (më mirë se unë) se çfarë do të thotë deklarimi i minimumit zyrtar jetik dhe ndaj nuk e bën ose nuk e lejojnë ta bëjë këtë. Rrjedhimisht, në vend që të përcaktohen në fillim nevojat e popullsisë dhe në bazë të tyre fondi i ndihmës sociale, përcaktohet fondi dhe pastaj ai u shpërndahet personave që kanë nevojë, por, sigurisht, duke qenë se fondi është disa herë më i vogël, ai nuk i përballon këto nevoja. Kështu qeveria anashkalon funksionin bazë të ndihmës sociale, të siguruarin e jetesës për të gjithë qytetarët e vendit duke e kthyer ndihmën në një shumë nominale të caktuar arbitrarisht. Një llogari e thjeshtë tregon që minimumi jetik zyrtar do ti rriste qeverisë koston me të paktën me $25.000 në ditë. Duket shumë? Ato 700.000 mijë eurot e premtuara për një hidrocentral një ministri (video është ende nën verifikim diku pranë kafe Europa) do të mjaftonin për t`i shpëtuar këta 20.000 njerëz për një vit nga skamja. A është një (ish-) ministër më i rëndësishëm se 20.000 qytetarë?
Shqipëria është më e varfër se fqinjët dhe njerëzit vdesin nga uria. Nga çdo klasë gjimnazi, ka mesatarisht një person që nuk ka bukë mbi tavolinë në darkë dhe disa të tjerë që harxhojnë më tepër duke pirë kafe te Blloku, ndërkohë që lexojnë këtë artikull. Për ta zgjidhur këtë duhet vetëm një numër (minimumi jetik) mbi një copë letër (fletore zyrtare). Duket e thjeshtë? Rilexoje dhe një herë këtë shkrim.