E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replika/Uthulla e fortë e Meidanit s’prodhon politikë, por veç mercenarizëm mediatik

12-08-2011 / Nga Eden Babani

Kohët e fundit, pas fitores së spikatur të shumicës qeverisëse në zgjedhjet e 8 majit, është intensifikuar propaganda e opozitës për revansh. Kur nën zë e kur me piskamë, kur haptas e kur “hidh gurin e fshih dorën”, kur me intervista e kur me biseda televizive, liderë të së majtës ose renegatë të së djathtës (pushtetarë ose jo), personalitete aktive në politikë e pensionistë të shtrydhur si limoni pa lëng, militantë e ithtarë të devotshëm janë vënë në lëvizje të shpëtojnë ngrehinën socialiste në rënie e sipër, gërryer rëndë prej “korrozionit” Rama. Mirëpo problemet e opozitës janë shumëplanëshe, vështirë të gjendet “prerja e artë”, pa shmangur liderin e saj të sotëm. Ato nisin me fenomenin “korroziv” Rama, arrogant e kryeneç që nuk dëshiron  të shohë përtej hundës së vet, vazhdojnë me kundërshtarët e tij brenda përbrenda partisë, kalojnë tek aleatët e koalicionit të dështuar, përfundojnë te mosbesimi i faktorit ndërkombëtar ndaj kursit politik të liderit socialist, deri te ftohja e marrëdhënieve të tij me përfaqësuesit e demokracive perëndimore në Shqipëri. Afërmendsh, në rrethana të tilla zhvillimesh politike, ndonëse kohë pushimesh verore, bien në sy lloj-lloj përpjekjesh për të zbehur ose për të zhbërë fitoren e koalicionit në pushtet. Pretendimet për ndryshime kushtetuese janë ndër më domethënëset. Personalitete të larta të së majtës, mbështetur (ndoshta?!...) nën zë e në prapaskenë prej kreut aktual të shtetit, e shohin ndërhyrjen e mundshme në Kushtetutë si të vetmen rrugëdalje nga qorrsokaku në të cilin ka përfunduar opozita e udhëhequr prej Ramës. Siç mund të kuptohet lehtësisht, ata shpresojnë se disa ndryshime në ligjin themeltar të shtetit do t’i shërbenin gjendjes për t’u vajtuar të së majtës, të merrte veten në zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s, pse jo, edhe duke sajuar qershorin e ardhshëm ndonjë president kukull, mbajtur me paterica, qoftë ky me prejardhje nga e djathta, qoftë edhe i dështuar si shtetar.
Në këtë kontekst, spikat intervista e ish-Presidentit Meidani, dhënë së përditshmes “Panorama”, të dielën e shkuar, intervistë zori, qepur fund e krye me një fill të dukshëm nervozizmi. Analiza e shkaqeve për të cilat e majta doli humbëse në zgjedhjet vendore, duke lënë edhe Bashkinë e Kryeqytetit pas tri mandatesh radhazi, është vetëm sebepi për të zbrazur thesin e ideve të ish-kreut të shtetit, të cilat i bëjnë jehonë kërkesës së Ramës për ndryshime kushtetuese. Shkaqet e humbjes, tashmë janë thënë e stërthënë, madje janë bërë të njohura botërisht brenda e jashtë vendit. Ato i ka analizuar bindshëm deputeti “i pabindur” Islami. Përsëritja e tyre, pa shtuar ndonjë të re kushedi se çfarë, nuk e ngacmon as opinionin e zakonshëm, jo më atë të specializuar, sidomos kur flet një intelektual i nivelit Meidani. Ish-Presidenti i 1997-s, i cili i hyri politikës pa pritur e pa kujtuar, deri sa u katapultua në krye të piramidës shtetërore në rrethana tepër të dyshimta të atij viti të mbrapshtë, do të ishte më i besueshëm t’i rikthehej shkencës së lënë në mes ose të shkruante kujtime, si shumë presidentë të tjerë në botën e qytetëruar, në vend që ta vinte veten në pozitën e mjerueshme të politikanit i cili rreket të puthë dorën që s’e kafshoi dot atëherë kur mund e duhej kafshuar.
Unë jam profan në fushën e ligjeve. Madje, përballë një ish-presidenti me nivelin intelektual të z. Meidani, ndihem fare i paditur të jap mendime lidhur me ndryshimet kushtetuese që propozon ai për të ardhmen. Gjithsesi, më ngacmon pyetja: Çfarë po e ngut ish-kreun e shtetit të kërkojë ndryshime bash në kontekstin politik të humbjes së koalicionit të majtë dhe bash kur ka mbetur më pak se një vit që të skadojë mandati i Presidentit Topi?
Nënteksti i propozimeve të zotit Meidani është i qartë, me gjithë përpjekjet e tij për të mos i thënë gjërat me emrin që kanë. Është e vërtetë, gjithashtu, se loja për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm s’ka marrë ende formën e një fushate zgjedhore, sado që ajo pritet të fillojë nga koha, në kohë. Gjithsesi, në këtë prag-nisje të garës, rregullat e saj nuk ka arsye të ndryshohen në harkun e mbetur kohor të 9 a 10 muajve. Nëse duhen ndryshuar – për çka, sikurse shumë e shumë të tjerë, edhe vetë them se diç duhet ndrequr, – logjika ma thotë që ndërhyrjet në Kushtetutë duhen bërë pasi të ketë marrë fund gara që s’pret tjetër veç çastin e startit. Në anën tjetër, do të ishte krejt normale që, fill pas përfundimit të zgjedhjeve vendore, të diskutoheshin ndryshimet në kodin zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme, që të mos përsëriteshin përplasjet vend e pavend për shkak të mungesës së legjislacionit. Do të përfshija këtu pa kurrfarë mëdyshjeje edhe propozimet e zotit Meidani. Por, të synosh sot ndryshimin e disa ligjeve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, ngjan paksa e vonuar. Ajo do të përbënte një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e demokracisë. Vendi nuk do të gjente kurrë qetësi, nëse njëra ndër palët garuese do të kërkonte ndryshime kushtetuese sa herë do ta nuhaste humbjen. Këtë të vërtetë, zoti Meidani duhet ta dijë më mirë sesa kushdo, pasi ma do mendja të ketë pasur rastin të përjetojë situata pak a shumë të ngjashme gjatë përvojës së vet si politikan e si shtetar.
Së fundi, ndonëse si ish-President meriton respektin e shtetasve të vet, ashtu edhe timin, pa e humbur sensin e respektit ndaj tij, nuk mund të rri pa i kujtuar zotit Meidani se uthulla e fortë prish enën e vet. Nëse ai ndihet i nervozuar për shkak të zhvillimeve politike aspak të favorshme ndaj grupimit politik të cilit i përket, ky nuk është faj i gazetës “55”, madje as i ndonjë gazete tjetër në botë. Fyerjet ndaj gazetarëve të saj nuk e nderojnë pozitën e tij të sotme, as të djeshmen e as të pardjeshmen... Personalisht, si bashkëpunëtor i rregullt i “55-s”, i bëj të ditur zotit ish-President se nuk ndihem “llazore mediatike”, siç shprehet ai për gazetarët e saj. Ashtu besoj me bindje edhe për kolegët e mi. Nuk ndihem, gjithashtu, as “zhvatës”, as “zhyrës” -  epitete të përdorura prej tij, ndoshta, pa e kontrolluar vetveten - dhe nuk marr nga askush porosi për “sulme publike” “çaveziane”. Si njeri i lirë i një vendi të lirë e demokratik, kam të drejtën time të shprehem publikisht, i vjen a s’i vjen mirë atij dhe kujtdo tjetër në botë. Zoti Meidani nuk duhet të harrojë, gjithashtu, edhe se “55-a” ka lexuesit e saj anekënd vendit, ndërsa në internet ndiqet prej dhjetëra-mijëra lexuesish në të gjithë botën. A e di zoti ish-President se me fjalorin aspak të denjë për një personalitet të botës politike e intelektuale së cilës i përket, ka fyer edhe lexuesit tanë?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›