Westerwelle: Harta e Ballkanit nuk ndryshon - Serbia të njohë kufijtë, në të kundër rrezikon integrimin

Kryediplomati gjerman viziton Prishtinën
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Vestervelle ka deklaruar sot në Prishtinë se integriteti i kufirit të Kosovës është një çështje e mbyllur ndërsa ka kërkuar të realizohet zgjidhja e përkohshme për Veriun e vendit. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Hashim Thaçi, Vestervelle ka theksuar se integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm dhe se harta e Ballkanit nuk do të ndryshojë. Ai gjithashtu ka kërkuar rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si e vetmja rrugë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes dy vendeve. “Është mjaft i rëndësishëm që të rinisë procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Ky dialog duhet të rifillojë sa më parë pasi të gjitha mosmarrëveshjes mund të zgjidhen në mënyrë konsensuale. Për ne është shumë e qartë që duhet të ketë bashkëpunim në vend të konfrontimit. Po ashtu ftoj që palët të bashkëpunojnë me KFOR dhe EUELEX”- ka theksuar Vestervelle. Ministri i jashtëm gjerman mbërriti sot në Prishtinë për të zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit kosovar si dhe me krerë të KFOR-it. Në nisje të turneut të tij në rajon Vestervelle tha se rruga drejt Bashkimit Evropian është përmes demokracisë, reformave dhe zgjidhjes paqësore të të gjitha konflikteve. Më herët, ai vizitoi Malin e Zi dhe Kroacinë.
Ministri i Jashtëm gjerman viziton dhe pikën kufitare të Jarinjës
Në vijim të qëndrimit në Kosovë, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, ka vizituar Veriun e Kosovës. Ai është ndalur në vendin e krimit në Jarinje, pikë kufitare kjo e djegur para 2 javësh nga huliganë serbë. Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler i ka treguar Westerwelles, dëmet e shkaktuara. “Dhuna mund të ndizet në çdo kohë, nuk bën të nënçmohet”- ka thënë diplomati gjerman në veri. Sipas tij kjo është një shenjë e rrezikshme. Më herët gjatë ditës, Westerwelle garantoi në Prishtinë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, dhe as ndryshim të kufijve në Ballkan.
...