E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reshat Arbana feston 85-vjetorin, dokumentar në nder të aktorit

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit uroi sot aktorin Reshat Arbana, Nderi i Kombit, për 85-vjetorin e lindjes.

“Në këtë përvjetor, e urojmë me dashuri e mirënjohje, si një aktor që nuk luajti vetëm role, por preku jetët tona me artin e tij të sinqertë”, u shpreh në një postim në rrjetet sociale, drejtori i AQSHF, Eljan Tanini. Ai kujtoi se, me këtë rast, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit do të shfaqë sot në kinemanë e institucionit, dokumentarin “Përballë, me Reshat Arbanën”.

Reshat Arbana është një prej figurave më të dashura nga publiku, për kontributin e tij të dhënë në kinematografi dhe teatrin shqiptar. Ai solli në jetë mbi 40 personazhe në kinematografi dhe qindra role në teatër, duke u bërë një simbol i gjallë i shpirtit popullor, burrërisë, dhimbjes, revoltës dhe dashurisë për vendin.

Disa nga rolet e tij më të spikatura janë Islami te “Duel i heshtur” (Anagnosti, 1967), Samiu te “Fije që priten” (1976), Prefekti te “Gjeneral gramafoni” (Gjika, 1978), Bimbashi te “Liri a vdekje” (Muçaj, Mitro, 1979), Isa Boletini te “Nëntori i dytë” (Gjika, 1982), Ahmeti te “Dora e ngrohtë” (Çashku, 1983), Adnani te “Hije që mbeten pas” (Musliu, 1985), Aliu te “Binarët” (Fejzo, 1987), Emili te “Rikonstruksioni” (Kasaj, 1988), Kukë Memini te “Balada e Kurbinit” (Çashku, 1990).

Për rolet e Dajlan Beut te “Kush vdes në këmbë” (Prifti, 1984) dhe Kryetarit të Këshillit te “Kur hapen dyert e jetës” (Ljarja, 1986), ka fituar Medalionin e Festivaleve të Filmit në vitet 1985 dhe 1987.

/e.r//r.e//a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›