Reshje shiu në vend, vjeshta bllokon trafikun në rrugët e kryeqytetit
Tiranë- I gjithë vendi është përfshirë ditën e sotme nga rreshje të dendura shiu të cilat kanë sjellë një rënie të ndjeshme të temperaturave, deri me 4 gradë Celsius krahasuar me një ditë më parë.
Por së bashku me rreshjet e shiut që kanë rënë mëngjesin e sotëm në Tiranë ka mbërritur edhe kaosi i trafikut, që pavarësisht aksionit të forcave rrugore për lehtësimin e tij vrulli i mëngjesit kishte pamjen që duket qartë në këtë foto.
Trafiku i lehtësuar i muajit Gusht i la vendin vargut të makinave dhe autobusëve që janë shtuar edhe për shkak të nisjes së vitit të ri shkollor.
Paraditen e sotme kryqëzimet e “21 Dhjetorit”, “Vasil Shantos”, tek “Rruga e Elbasanit”, “Pallati me Shigjeta” etj ishin të bllokuara nga automjetet që nxitonin t’i transportonin njerëzit në punë apo shkollë. Vonesës në trafik i bashkangjitet edhe korsia e re e autobusëve e cila pothuajse e shkatërruar në vend të lehtësojë lëvizjen po e pengon atë. Në dhe sipër saj kalojnë lloj-lloj automjetesh të cilët kanë sjellë edhe deformimin e vijëzimit, e për pasojë bllokohet edhe rruga, siç ndodh me ndarjen pranë “Drejtorisë së Policisë” në Tiranë.
Në këto kushte në një ditë me shi në Tiranë lëvizja drejt punës apo shkollës mund të vohohet 30 deri në 1 orë nga ditët e zakonshme, makinat qëndrojnë “dora-dorës’ teksa edhe punonjësit e policisë e kanë të pamundur lirimin e trafikut, pasi lirimi i një aksi nënkupton bllokimin e një tjetri.
D.Bilbili/IDEA/