E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshje të dendura shiu në Lezhë, vështirësi qarkullimi në disa rrugë

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë qytetin e Lezhës gjatë orëve të fundit kanë krijuar probleme në disa zona urbane, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve.

Situata më problematike është regjistruar në lagjet “Besëlidhja” dhe “Skënderbeg”, ku si pasojë e intensitetit të reshjeve dhe mbingarkesës së sistemit të kanalizimeve, uji ka dalë në sipërfaqe dhe është grumbulluar në disa akse rrugore dhe blloqe banimi. Kjo ka bërë që lëvizja e banorëve të jetë e kufizuar, ndërsa në disa segmente rrugore qarkullimi i automjeteve të vështirësohet ndjeshëm.

Situata lidhet edhe me punimet nëntokësore që po zhvillohen në kuadër të projektit për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza në qytet. Ky investim synon përmirësimin e infrastrukturës dhe dhënien e një zgjidhjeje afatgjatë problematikave të përsëritura me përmbytjet gjatë reshjeve me intensitet të lartë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›