PDK refuzon ofertën e Kurtit, Hamza: LVV na ofroi postin e kyeparlamentarit në këmbim të votës për presidentin

Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës Bedri Hamza thotë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka treguar vullnet për ta zgjidhur çështje e presidentit, pavarësisht se sipas tij, partia e tij ka dhënë mbështetje për një kandidat konsensual pa u përfshirë në qeverisje.
“Për Partinë Demokratike, stabiliteti institucional ka qenë çështje primare dhe interes shtetëror e jo objekt negocimi për pazare politike. Përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK konsideron të përmbyllur kontributin e saj në këtë proces”, u shpreh Bedri Hamza, Kryetar i Partisë Demokratike e Kosovës.
Hamza publikoi edhe ofertën e fundit që i është bërë nga Kurti, e cila, sipas tij, përfshinte një marrëveshje për postin e kryetarit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si joserioze dhe jokushtetuese.
“Oferta është kjo: që deputetët e PDK-së të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë dhe si rezultat i kësaj, PDK-së i ofrohet posti i kryetarit të Kuvendit, me një ndryshim që Vetëvendosjes t’i kalojë pozita e nënkryetarit të Kuvendit, të cilën aktualisht e ka PDK-ja”, tha ai.
Të hënën kryeministri Kurti njoftoi se për çështjen e presidentit ka kontaktuar edhe me kreun e PDK-së Bedri Hamza, por sipas tij, propozimi për bashkëqeverisje ka qenë ekskluziv vetëm për LDK-në. Pas takimit të një dite më parë, kreu i kësaj partie refuzoi ofertën për bashkëqeverisje që iu paraqit nga Kurti. Abdixhiku tha se iu ofruan katër ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit, dhe më pas ndërrim të këtyre pozicioneve me atë të kryetarit të Kuvendit. Ndërsa më 28 prill përfundon afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, Kosova duket se po shkon drejt zgjedhje të reja parlamentare.
/rtsh.al/