E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Reshjet dhe përmbytjet, Tabaku: Shpresoj që situata të jetë drejt përfundimit! Qeveria të heqë TVSH për shportën ushqimore

Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje gjatë orëve të fundit në vendin tonë. Kjo situatë është diskutuar edhe në Komisionin për Integrimin Evropian, ku kryetarja e komisionit Jorida Tabaku u shpreh se në raste të tilla politika duhet të jetë e bashkuar. Ajo theksoi se pavarësisht forcave politike në të cilat bëjnë pjesë, shpresojnë që situata e përmbytjeve të jetë drejt përfundimit dhe të ketë sa më pak humbje jete dhe situata emergjence.

“Me shpresën që situata e përmbytjeve të jetë drejt përfundimit dhe të kemi sa më pak sigurisht humbje jete dhe situata emergjence, sidomos në veriun e Shqipërisë. Pavarësisht forcave politike shpresojmë që kjo situatë të jetë drejt përfundimit”, tha Tabaku.

Deputetja demokrate u shpreh më tej se qeveria duhet të marrë masa të përkohshme për heqjen e TVSH për shportën ushqimore. Tabaku theksoi se shqiptarët i pret një dimër i vështirë dhe në periudha krize qeveria duhet të marrë masa në 2 nivele, në rastin e TVSH së ushqimeve dhe elementeve të tjerë.

“Është e vërtetë që situata e emergjencës është theksuar më shumë pas 24 shkurtit kur agresioni rus mbi Ukrainën pati ndikim mbi sistemin energjetik. Përshëndes masën për heqjen e TVSH për projektet IPA, që është një domosdoshmëri. Ndjej keqardhje që qeveria përjashton nga TVSH një sërë mallrash, produktesh dhe nuk merr masa në periudhë krize për heqjen e TVSH për shportën ushqimore, për produkte që janë të domosdoshme, por që dhe vendet e BE kanë marrë masa të përkohshme. Dhe sipas marrëveshjes së stabilizim asociimit lejohet marrja e masave të përkohshme në 2 nivele në rastin e TVSH së ushqimeve dhe elementeve të tjerë në periudha krize, sidomos para dimrit të vështirë që i pret shqiptarët”, tha Tabaku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›