E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet e bores bllokojne veriun

Në veri të vendit, në zonën e Malësisë së Shkodrës, reshjet e dëborës kanë krijuar vështirësi në lëvizje dhe për këtë arsye policia kërkon nga drejtuesit e mjeteve përdorimin e zinxhirëve.

Situata më e rënduar është në zonën e Pukës, ku më problematike janë akset e njohura tashmë.

Rruga Pukë-Qafë Shllak-Qafë e Malit ka një trashësi dëbore deri në 50 centimetra, rruga Gjegjan-Fushë Arrëz 30 centimetra dhe Selcë-Vermosh-Malësi e Madhe 40 centimetra.

Në qytetin e Pukës dhe Fushë Arrëz trashësia e dëborës është 10 centimetra. E njëjta situatë është edhe në qarkun e Kukësit, ku problematike është gjendja në rrugët që lidhin Tropojën, si nga Komani ashtu edhe nga rruga Tropojë-Has.

Për disa orë ka patur bllokim të lëvizjes edhe në Rrugën e Kombit, për shkak të mjeteve të rënda pa zinxhirë që kanë lëvizur shumë ngadalë nga frika e rrëshqitjes në rrugë.

Në Dibër reshjet kanë qenë të menjëhershme dhe raportohet se ka vështirësi në shumë rrugë rurale, por edhe në akset nacionale, ku kërkohet përdorimi i zinxhirëve.

Problematik është edhe aksi Peshkopi-Bulqizë, por edhe rruga në drejtim të Burrelit. Shumë drejtues mjetesh janë zënë të papërgatitur nga reshjet që erdhën menjëherë pas disa ditëve të ngrohta.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›