E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet e dëborës, bllokohet rruga nacionale për në Kukës

Kukës-Sot që në orët e para të ditës reshjet dëborës, reshjet e shiut si dhe era e fortë kanë shkaktuar probleme në disa qytete të vendit. Problem mbetet rrethi i Kukësit, ku që me borën e parë, janë bllokuar rrugët. Aktualisht është e bllokuar rruga nacionale për në Kukës, që është edhe pika lidhëse me Kosovën. Po kështu 9 komuna të këtij rrethi janë izoluar për shkak të bllokimit të rrugëve nga bora.

Mësohet se 40 makina janë bllokuar në aksin Kukës-Qafë Mali pikërisht te Kthesa e Kalimashit, ku trashësia e dëborës ka arritur në 40 cm. Forca të policisë së qarkullimit rrugor ndodhen në pikën më të lartë të rrugës nacionale për të monitoruar situatën dhe për t’i ardhur në ndihmë shoferëve të automjeteve. Sipas policisë makinat e bllokuara janë pa zinxhirë dhe lëvizja e tyre është pamundur. Një borëpastruese po punon për hapjen e rrugës.

Kështu këshilla kryesore e policisë rrugore për drejtuesit e automjeteve është të vendosin zinxhir në gomat e makinave të tyre nëse do të udhëtojnë në rrugën nacionale dhe pikërisht në aksin Pukë-Kukës.

Rrugët rurale që lidhin qytetin e Kukësit me 9 komuna të këtij rrethi janë të bllokuara nga dëbora, trashësia e të cilit arrijnë në 40-50 cm. Komunat e bllokuara janë Arrën Zapot, Curraj, Grykëcaj Ujmishti, Bushtrica, Topojani dhe Shishtaveci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›