Burgu i grave, ku telefonatat përgjohen nga gardianet
Avokati i Popullit shpreh shqetësimin edhe për 13 të sëmura mendore që ndodhen tek “Ali Demi”
TIRANË- Gratë që vuajnë dënimin në burgun e 325 përgjohen nga punonjësit e burgut, kur ato flasin në telefon apo kur takohen me familjarët e tyre. Sipas të dënuarave, atyre u kontrollohet dhe verifikohet çdo telefonatë që bëjnë apo çdo bisedë me të afërmit. Këto ankesa janë bërë të ditura nga Avokati i Popullit, pas një inspektimi të kryer në burgun “Ali Demi”.Të dënuarat kanë gjetur mundësinë të shprehin ankesën e tyre pranë institucionit të Avokatit të Popullit për cënimin e privatësisë që u bëhet atyre nga personeli mbikëqyrës i këtij burgu. Nga inspektimi i bërë, institucioni i Avokatit të Popullitka konstatuar prezencën e një oficereje në këtë ambient, e cila dëgjonte bisedat që gratë e dënuara bënin me familjarët e tyre. Një fakt i tillë bie në kundërshtim me ligjin për të drejtat e të dënuarve, ku thuhet se “takimet zhvillohen në vende të veçanta nën kontroll shikimi dhe jo dëgjimi nga personeli mbikëqyrës”. Gjithashtu, në burgun 325 janë konstatuar 13 të sëmurë mendorë, nga të cilët 5 janë skizofrenë, gjë e cila cënon rëndë nivelin e jetesës së të dënuarave. Nga inspektimet rezultoi se këto të dënuara që vuajnë nga sëmundje mendore jetojnë në të njëjtat dhoma me të dënuarat e tjera, gjë e cila sjell një rrezikshmëri të lartë për sigurinë e tyre, duke mos mundësuar në mënyrë koherente bashkëjetesën midis tyre. Për këtë kategori të dënuarash, Avokati i Popullit ka rekomanduar kalimin e tyre të menjëhershëm në Spitalin e Burgut duke pretenduar se ky rast mund të jetë fatal për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, e cila ka në varësi respektimin e të drejtave të të burgosurve. Në këto dy inspektime është vënë re edhe abuzimi që bëhet ndaj të dënuarve me çmimet e larta që vendosen ndaj kartave telefonike apo ushqimeve, të cilat nuk përputhen me cilësinë që ato ofrojnë.