Reshjet e debores dhe akulli bllokojne disa akse rrugore
Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë të gjithë rajonin e Qarkut të Kukësit. Në qytet ka rënë 10-15 cm dëborë, ndërsa temperatura gjatë orëve të natës dhe në mëngjes ka zbritur në minus 13 gradë C. Në zonat e thella malore trashësia e dëborës arrin në rreth 40 cm, ndërsa temperatura zbret në minus 18 gradë Celsius. Reshjet e dëborës vazhdojnë me intensitet dhe me erë të fortë që fryn nga veriu. Dëbora dhe akulli kanë bllokuar disa akse të rëndësishme rrugore në Kukës, kryesisht akset që lidhin qendrën e rrethit me komunat. Burime të shtabit të emergjencës në prefekturë bëjnë të ditur se janë bllokuar rrugët që lidhin komunat Arrën, Kalis, Zapod dhe Grykë Çajë. Por për shkak të akullit, edhe qendra e Komunës Bicaj mbetet momentalisht e bllokuar dhe po ashtu edhe qendrat e komunave Shishtavec dhe Bushtricë. Në mëngjesin e djeshëm disa automjete kanë zbritur nga këto komuna deri në Kukës, por, siç tregojnë shoferët, udhëtimi nga Kukësi drejt zonave të tyre është tepër i vështirë dhe gati i pamundur edhe me zinxhirë. Po ashtu është vështirësuar qarkullimi i mjeteve motorike edhe në akset Kukës-Krumë, si dhe Kukës-Qafë Mali, ku kalohet vetëm me zinxhirë. Edhe segmenti i autostradës nga tuneli i Kalimashit deri në Kolsh është vështirësuar së tepërmi, për shkak të akullit. Aty enti i caktuar për mirëmbajtjen e autostradës ka hedhur kripë, por shoferët tregojnë se lëvizja është vështirësuar edhe për shkak të stuhisë së dëborës dhe shikimit të kufizuar, ku megjithatë nuk ka pasur asnjë aksident. Nga ana tjetër mbetet problem segmenti i rrugës së vjetër nga Koshi në Fushë-Dukagjin, ku kompania ndërtuese e autostradës ende nuk e ka dorëzuar objektin. Në tërësi, siç tregojnë burime të shtabit të emergjencës në Prefekturën e Kukësit, situata është nën kontroll dhe nuk janë raportuar ngjarje apo aksidente të mundshme.