Vendi ne ngrice debora izolon disa zona
Ndërsa ka nisur lëvizja e lirë e qytetarëve pa viza drejt vendeve të Europës, në Dibër në verilindje të vendit, lëvizja e banorëve në shumë zona vijon të jetë e pamundur. Kjo, për shkak të reshjeve të dëborës të shoqëruara me temperatura të ulëta, që kanë bllokuar mjaft akse rrugore.
Pas komunave Ulëz dhe Komsi, që prej më shumë se dy javëve kanë mbetur pa energji, probleme të mungesës janë konstatuar edhe në mjaft fshatra të komunave Zerqan, Martanesh, Macukull, Xibër-Murrize. Trashësia e reshjeve të dëborës së rënë gjatë 24 orëve të fundit, në këtë qark, ka varijuar nga 10 deri në 20 centimetra, gjë që ka rritur ndjeshëm numrin e komunave dhe fshatrave të izoluar. Dje, orëve të para të mëngjesit, është bllokuar për 4 orë edhe aksi nacional rrugor Peshkopi-Burrel, ku segmenti me problematik ka qenë në zonën e Bulqizës. Bllokimi i rrugës në zonën e Bulqizës nga vendi i quajtur “Pishat” deri në Qafën e Buallit, ka ardhur më shumë se nga sasia e reshjeve, prej furtunës që përfshiu këtë zonë.
SegmentetPasojë e kësaj furtune është grumbullimi i dëborës në segmente të caktuara të këtij segmenti rrugor, që solli edhe bllokimin e rrugës. Vetëm aty rreth orës 10.00 është mundësuar ndërhyrja e një borëpastrueseje të Ndërmarrjes së Rrugëve, e cila ka mundësuar zhbllokimin e situatës për lëvizjen e automjeteve. Aksi rrugor nacional Peshkopi-Kukës dhe Ura e Çerenecit-Dragalicë, kalohet me zinxhirë. Aksi Dragalicë-Klenjë-Steblevë, vazhdon të mbetet i pakalueshëm dhe deri më tani asnjë përpjekje nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve Dibër për zhbllokimin e tij. Ndërkohë, pothuajse të gjitha rrugët që lidhin komunat me qendrat e rretheve janë të bllokuara ose kalohen vetëm me zinxhirë. Vazhdojnë të mbeten të izoluara komunat: Lurë, Kala e Dodës, Selishtë, Sllovë, në rrethin e Dibrës; Trebisht, Martanesh, në rrethin e Bulqizës; Macukull, Xibër, Derjan në rrethin e Matit. Ndërkohë që numri i fshatrave të veçantë të izoluar është shumë herë më i madh. Një situatë e tillë ka bërë që gjatë ditës së sotme, në shumë shkolla të zonave të thella malore mësimi të zhvillohet me orë të reduktuara e bashkim klasash. Furtuna dhe acari që ka përfshirë rajonin e Dibrës vazhdon të zgjerojë hartën e shtrirjes se komunave dhe fshatrave të mbetur në errësirë.
MotiRreth 75% e territorit të vendit është mbuluar nga reshjet e dëborës. Madje ato kanë përfshirë edhe disa qytete në jug dhe juglindje të vendit. Meteorologët thonë se intensiteti i tyre ka qenë më i konsiderueshëm, në zonat malore, duke shkaktuar kështu probleme në qarkullimin e automjeteve. “Kemi pasur reshje dëbore në gjithë zonën malore. Duke filluar nga verilindja e deri në zonat jugore e juglindore ka pasur reshje dëbore dhe jo vetëm në zonat e larta malore, por dhe brenda në kryeqytet”, sqarojnë sinoptikanët. Reshjet e borës, sipas meteorologëve, do të vazhdojnë në zonat malore, ndërkohë që temperaturat pritet të rriten vetëm në fundjavë. Sot temperaturat pritet të arrijnë deri në -12 gradë Celsius në zonat malore dhe -4 në Tiranë.
“Situata do të përmirësohet në të gjithë vendin në ditët në vijim. Reshjet e dëborës do të jenë të dendura, kryesisht në zonat malore, por do të na shoqërojë sërish moti i ftohtë”, tha Lajda Porja, meteorologe. Ajo shtoi se ditët në vijim, edhe pse do të pësojnë zbutje të temperaturave, acari do të jetë sërish i pranishëm.