E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Reshjet e shiut në Vlorë, shefi i Emergjencave për ATSH-në: Situata në normalitet të plotë, strukturat në terren

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Reshjet e shiut me intensitet mesatar që ranë mëngjesin e sotëm në qytetin e Vlorës krijuan disa problematika, por që shumë shpejt situata u kthye në normalitet.

Shefi i Emergjencave Civile në prefekturën e qarkut të Vlorës, Robert Skëndaj tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “shirat që ranë sot në mëngjes nga ora 08:00-09:00 patën intensitet mesatar dhe krijuan disa problematika me prezencë uji, por nuk u bllokua as trafiku dhe nuk shfaq as ndonjë problematikë tjetër”.

Sipas tij, pas pushimit të shiut situata u kthye në normalitet.

Skëndaj informoi se “aktualisht nga ana e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në bashkinë Vlorë dhe Ujësjellës Kanalizime Vlorë po punohet për pastrimin e rrugëve dhe kunetave nga gjethet, duke qenë se jemi në stinën e vjeshtës. Në këtë mënyrë jemi të gatshëm për çdo situatë të mundshme që mund të kemi në territorin e bashkisë së Vlorës”.

Ndërsa në qytetet e tjera të Prefekturës Vlorë nuk ka pasur problematika.

Shefi i Emergjencave Civile në prefekturën e qarkut të Vlorës tha se “si pasojë e shiut dhe erës që ka fryrë gjatë natës kemi 5 fibra jashtë pune në bashkinë e Selenicës dhe një fibër që furnizon Radhimën. Grupet e punës së OSHEE janë në terren dhe shumë shpejt do të kthehet energjia elektrike”.

“Strukturat e emergjencave të bashkisë dhe prefekturës janë në terren, monitorojnë situatën dhe për momentin situata është në normalitet të plotë”, tha Skëndaj për ATSH.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›