Respekt për Spanjën, por nuk e kemi frikë
Spanja është skuadra më e mirë në botë, e thotë edhe Bert van Marvijk, por Holanda nuk ka frikë. “Kam shumë besim. Shumë lojtarë po përmirësohen nga ndeshja në ndeshje dhe besoj se edhe Van Persi do të luajë ndeshjen e tij më të mirë në finale”. Konferenca e shtypit e trajnerit holandez ka qenë plot me gazetarë të huaj, në ankth për të pritur këtë skuadër, që më 1974-n dhe 1978-n arriti dy herë në finale duke luajtur një futboll të bukur. Ndërsa kjo Holandë është kritikuar për mungesën e spektaklit, por trajneri nuk shqetësohet për këtë. “Nuk mund të krahasohen periudha të ndryshme. është e pamundur të bësh një krahasim mes atyre lojtarëve e historisë së tyre dhe djemve të mi. Por Krol ka qenë shpesh me ne gjatë stërvitjeve dhe kemi folur shumë për të kaluarën dhe për të tashmen”. Një e tashme për t’u jetuar të dielën në “Soccer City”, dhe ndoshta askush nuk e priste të shikonte “portokallinjtë” në aktin e fundit. “Spanja luan më mirë se ne, ndaj ata janë favoritë. Do të jetë një ndeshje interesante, për ne është një sfidë e bukur. Por më duhet të them se nuk kemi aspak frikë nga kundërshtari”, përfundon Marvijk.
#