Reuters: Në dokumentet e SHBA-së pretendohet se Serbia ra dakord të armatosë Ukrainën

Dalin të tjera detaje nga rrjedhja e dokumenteve të inteligjencës amerikane në rrjetet sociale, ku është zbuluar përfshirja e Serbisë në luftën në Ukrainë.
Referuar dokumenteve të klasifikuara të Pentagonit, Serbia, shteti i vetëm në Europë që ka refuzuar t’i vinte sanksione Moskës, ka rënë dakord të furnizojë me armë Kievin, ose i ka dërguar ato.
Grafiku tregoi se Serbia refuzoi të ofronte trajnime për forcat ukrainase, por ishte zotuar të dërgonte “ndihma vdekjeprurëse”, siç cilësohen armët. Po në të njëjtin dokument, sipas Reuters, thuhet se Beogradi ka pasur “vullnetin dhe aftësinë ushtarake” për t’i ofruar armë Ukrainës.
Dokumenti, i cili mban datën 2 mars, është ruajtur si sekret dhe ishte i etiketuar me shenjën e ndalimit për shpërndarje te shërbimet e huaja të inteligjencës.
Informacioni i inteligjencës amerikane është një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive europiane, ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime dhe ndihma ushtarake.
Kjo e dhënë, ishte midis dhjetëra dokumenteve të klasifikuara të postuara në internet javët e fundit, në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane në vite.
Materiali i titulluar “Europa , Përgjigjja ndaj konfliktit Rusi-Ukrainë”, përfshin qëndrimet e 38 qeverive europiane, ndaj kërkesës së Ukrainës për mbështetje. Serbia ka mbajtur qëndrim “neutral” ndaj luftës, pavarësisht lidhjeve historike, ekonomike dhe kulturore me Rusinë.