E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reuters: Shqipëria ”emëron” një robot të inteligjencës artificiale si ministre për të luftuar korrupsionin

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ – Një ministre e re në Shqipëri e ngarkuar për të trajtuar prokurimin publik do të jetë e paprekshme nga ryshfetet, kërcënimet ose përpjekjet për të fituar favore, sipas Reuters.

Kjo për shkak se Diella, siç quhet ajo, është një robot i gjeneruar nga inteligjenca artificiale.

Kryeministri Edi Rama, i cili është gati të fillojë mandatin e tij të katërt, tha sot se Diella do të menaxhojë dhe japë të gjitha tenderët publikë në të cilët qeveria kontrakton kompani private për projekte të ndryshme.

“Diella është anëtarja e parë e kabinetit që nuk është fizikisht e pranishme, por është krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale”, tha Rama gjatë një fjalimi ku zbuloi edhe kabinetin e tij të ri.

Ajo do të ndihmojë që Shqipëria të bëhet “një vend ku tenderët publikë janë 100% të lirë nga korrupsioni”.

Dhënia e kontratave të tilla ka qenë prej kohësh një burim skandalesh korrupsioni në Shqipëri.

Qeveria nuk dha detaje se çfarë mbikëqyrjeje njerëzore mund të ketë për Diellën ose nuk trajtoi rreziqet që dikush mund të manipulojë robotin e inteligjencës artificiale.

Diella fillimisht u prezantua në fillim të këtij viti si një asistente virtuale e mundësuar nga inteligjenca artificiale në platformën e-Albania, duke ndihmuar qytetarët dhe bizneset të marrin dokumente shtetërore.

E veshur me veshje tradicionale shqiptare, ajo ofron ndihmë përmes komandave zanore dhe lëshon dokumente me pulla elektronike, duke zvogëluar vonesat burokratike.

Parlamenti i ri, i zgjedhur në maj, është planifikuar të mblidhet të premten, megjithëse mbetet e paqartë nëse qeveria do të votohet në të njëjtën ditë./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›