Revolta e Nënë Terezës në duart e Jakomonit

Një letër e Minitrisë së Jashtme Italiane dhe një përgjigje e Mëkëmbësit të Mbretit në Shqipëri, Françesko Jakomoni, trajtojnë kërkesën e revoltuar të Nënë Terezës, atëherë murgeshë e Kuvendit të Loretos në Kalkutë, për të marrë lajme nga familja e saj në Tiranë pak ditë pas pushtimit fashist
Romë, 17 maj 1939. Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë, del në këtë datë një telegram në adresë të Mëkëmbësisë së Përgjithshme të Tiranës.
Objekti i telegramit: "Suor Teresa Bojaschin - Informazioni". I referohej një kërkese nga Konsullata e Përgjithshme Italiane në Kalkuta sipas së cilës: "Motër Tereza Bojaxhi, shqiptare e "Kuvendit të Loretës" të Entalisë, është revoltuar me Zyrën sepse kërkon të dijë ç'po ndodh me familjen e saj, rezidente në Tiranë - 39 Justinjan. Familja përbëhet nga nëna Drondja Roza Bojaschin, nga motra Agia dhe nga vëllai Layer oficer i ushtrisë shqiptare.
Motër Teresa ankohet se qysh prej muajit mars nuk ka marrë lajme nga të afërmit e saj."
Telegrami (emrat janë lënë siç janë shkruar në italishten e dokumentit) i firmosur nga Zëvendëssekretari i Shtetit, i lutet Mëkëmbësisë në Tiranë t'i japë një përgjigje Ministrisë për llogari të Konsullatës së Përgjithshme në Kalkutë.
Letra që vjen nga Ministria nën drejtimin e Galeazzo Cianos, dhëndri i Mussolinit, shoqërohet me letrën gjegjëse të mëkëmbësit të mbretit, Franceso Jacomoni.
Të dyja letrat ndodhen në fondin e pakët "Nënë Tereza" në Arkivin Qendror Shtetëror Shqiptar.
Bëjmë një kthim prapa të përsëritur.
Anjezë Gonxhe Bojaxhi (26 Gusht 1910- 5 Shtator 1997) më e vogla e tre fëmijëve të familjes Bojaxhiu, ishte larguar nga shtëpia në Shkup, në moshën 18-vjeçare, për t'u bashkuar misionare me Motrat e Loretos (komunitet i njohur për punën misionare në Indi). Qysh prej asaj kohë nuk do ta shihte më motrën dhe nënën. I ati i kish vdekur kur ishte 8 vjeç.
Për këtë ngjarje në fëmininë e Anjezës dhe për vendimin që ajo mori në rininë e saj, studiuesi Gëzim Alpion, autor i studimit "Mother Teresa: Saint or Celebrity?" ("Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme?"), që u botua në anglisht në vitin 2007, shpjegon se ajo që u njoh më vonë si Nënë Tereza e Kalkutës dhe që u adhurua botërisht, nuk preferonte të fliste për fëmijërinë e saj, pasi lidhej me një dhimbje të madhe, me vdekjen e papritur të babait Kolë, ngjarje që u përjetua si "një traumë nga e cila Nënë Tereza nuk u shërua plotësisht gjatë gjithë jetës."
Ajo arriti në Indi më 1929. Me të bërë betimin si Motër e Loretos, mori emrin Tereza.
Në kohën kur ajo bënë kërkesën dhe e shqetësuar kërkon të marrë lajme nga familja në Tiranë, murgesha shqiptare, prej vitit 1931 jepte mësim në Shkollën e Shën Mërisë në Kalkutë.
Ndërkaq, vëllai Lazër ishte transferuar në Tiranë në vitin 1925. Pak më vonë u bashkua me të motra Age dhe nëna Drane.
Për gjendjen e familjes, Mëkëmbësia e Përgjithshme Italiane në Shqipëri kthen një përgjigje nëpërmjet vetë Jakomonit (kishte përfaqësuar Italinë në Shqipëri më 1926-1943, në fillim si ambasador e më pas si Mëkëmbës i Mbretit Viktor Emanueli, kur vendi ynë u pushtua dhe kurora e Shqipërisë iu dorëzua mbretit të Italisë dhe Shqipërisë, perandor i Etiopisë.)
Mëkëmbësi përgjigjet në letrën e datës 1 qershor 1939: "Kam nderin t'ju informoj se nëna e Suor Teresa Bojaschin (Bojaxhija), motra dhe vëllai gëzojnë shëndet të plotë dhe pikërisht sot kanë siguruar se do të komunikojnë drejtpërdrejtë me të."
Heshtjen e Nënë Terezës edhe për këtë periudhë të familjes së saj, studiuesi Gëzim Alpion në një nga intervistat e tij për këtë figurë e cila pas një jave nderohet dhe i festohet përvjetori i 100 i lindjes në Shqipëri dhe në mbarë botën, e komenton: "Heshtja e saj kushtëzohej edhe nga qëllimi i saj për të mos bërë publike lidhjet e vëllait të saj Lazrit me ushtrinë fashiste. Kur u pushtua Shqipëria në vitin 1939, Lazri u largua për në Itali, ku u radhit menjëherë në ushtrinë e Musolinit.
Nënë Tereza e dinte se sa e dëmshme për imazhin e saj si "shenjtore e gjallë" do të ishte publikimi i këtij fakti. Marrëdhëniet e mira të Vatikanit me Musolinin dhe Hitlerin vazhdojnë të jenë edhe sot një çështje tepër e ndjeshme për Selinë e Shenjtë, dhe Nënë Tereza e dinte këtë gjë shumë mirë."
Dhe më tej: "Nënë Tereza nuk dëshironte të flitej për familjen e saj, veçanërisht kur nëna dhe motra banonin në Shqipëri, pasi ajo nuk donte t'u shkaktonte probleme me autoritetet komuniste.
Deri tani nuk janë gjendur dokumente që tregojnë se qeveria e Enver Hoxhës i keqtrajtoi nënën dhe motrën e Nënë Terezës. Arsyeja se përse komunistët nuk i lejuan nënën dhe motrën e Nënë Terezës të vendoseshin në Itali ka të bëjë më tepër me të kaluarën fashiste të Lazrit, se sa me aktivitetin fetar të Nënë Terezës."
Me vëllain Lazër i cili jetoi në Itali prej mbarimit të luftës deri kur vdiq më 1981, ajo ruajti letërkëmbim. Nënë Tereza kishte fituar ndërkaq Nobelin për Paqe (1979) për misionin që kishte marrë përsipër qysh prej vitit 1948, kur kishte vendosur të largohej nga Kuvendi i Motrave të Loretos dhe t'i kushtohej ndihmës së më të varfërve nga të varfërit e periferive të Kalkutës.