E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, ja sa do jetë rritja e pagave për rreth 3 mijë punonjës

Drejtoria e QSUT-ës ka zbardhur rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e punonjësve. Në shtator përfitojnë më shumë infermierët dhe mjekët

Personeli shëndetësor në qendrën më të madhe spitalore në vend "Nënë Tereza" do të marrin rritjen e pagës në muajin shtator. Kjo rritje do të llogaritet duke filluar që nga muaji korrik dhe përfitues janë rreth 3 mijë punonjës të kategorive të ndryshme. Drejtori i QSUT-ës Ilir Dashi thekson se rritjen më të madhe do ta përfitojnë mjekët dhe infermierët ndërsa shefat e shërbimit mesa duket rritjen e pagës do ta kenë simbolike.


Drejtoria e këtij spitali ka zbardhur rritjen për 11 kategori punonjësish duke dhënë krahasimin sa ka qenë dhe sa është bërë rritja e pagës por në tabelë është paga bazë pa përfshirë rritjet që bëhen nga vjetërsia në punës. Ndërkohë drejtoria ka dhen shpjegime edhe sa i takon shpërblimeve nga të ardhurat dytësore.


Rritja e pagës


Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" ka zbardhur rritjen e pagave për gjithë personalin shëndetësor. Nga kjo rritje, përfitojnë 2685 punonjës të QSUT-ës, ndërkohë që shtesa është e diferencuar sipas profesionit. "Shtesa e pagave e miratuar nga qeveria është një stimul që bëhet për mjekët, infermierët dhe gjithë personelin mbështetës.


Aktualisht në kemi zbardhur vendimin dhe jemi duke hartuar tabelat përfundimtare, për të shpërndarë pagesat në muajin shtator, por që efekti financiar i kësaj shtese ka nisur që në fillim të muajit korrik",- thekson Dashi. Sipas tij, shtesën më të madhe e përfitojnë mjekët, infermierët dhe më pas shefat e shërbimeve. Kjo rritje e pagave kërkon një buxhet prej 88.366.880 lekë shtesë gjatë një viti


Shpërblimet


Por, personeli shëndetësor përveç rritjes së pagës që bëhet më vendim të Qeverisë, përfiton edhe shpërblime nga të ardhurat dytësore, ashtu siç u aplikuan pak muaj më parë. Sipas drejtorit të QSUT, duke parë të ardhurat dytësore të realizuara nga shërbimet do të ketë të tjera pagesa bonus. "Pagesa do të jetë në bazë të angazhimit në punë, në bazë të fondeve të grumbulluara nga çdo shërbim, në "qesen" e të ardhurave dytësore, si dhe duke pasur parasysh mbingarkesën në punë që kanë pasur punonjësit e spitalit "Nënë Tereza".


Masa e shpërblimit për punonjësit e qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza" do të vendoset nga shefat e shërbimeve",- behët e ditur nga QSUT duke u shtuar se krerët e shërbimeve dhe pavijoneve do të marrin shpërblim 20 për qind të pagës bazë, që tërheqin çdo muaj në llogaritë e tyre. Të ardhurat dytësore të spitalit, sipas ligjit, mund të përdoren për aktivitete, shpërblime, blerje apo restaurime që i nevojiten çdo sektori.


Tabela e rritjes së pagave

Pozicioni Ishte Bëhet

Shef shërbimi Biomedikal 52000 54000
Shef Shërbimi 52000 54000
Mjek kirurg 35000 40000+ vështirësi
Mjek 35000 40000
Kr/infermiere 28000 30500
Infermiere 22000 25000
Infermiere onkologjik 26500 28500
Infermiere psikiatri 26500 28500
Laborante 23000 25000
Nd/farmacist 22000 24000
Sanitare 18000 19000


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›