Revolta studentore, flet gruaja e Sokol Olldashit: Të dyja forcat PD dhe PS, duan ta minojnë protestë, por s’e minojnë dot rininë!
“Protesta studentore nuk i përket asnjë force politike”, ky ishte mesazhi i pedagogëve sot në protestën e tyre të tretë radhazi.

Enkeleda Olldashi, bashkëshortja e të ndjerit Sokol Olldashi, ka kundërshtuar pretendimin e Sali Berishës se qindra pedagogë që i janë bashkuar protestës kanë lidhje me Partinë Demokratike, duke akuzuar si PD-në, ashtu edhe PS-në se po përpiqen të dobësojnë revoltën e të rinjve.
“Të dyja forcat politike, PD dhe PS, po përpiqen ta minojnë, secila në formën e saj. Kështu që kjo është një formë minimi, por duhet të kuptojnë që politika vetëm rininë nuk e minon dot”, tha Enkeleda Olldashi gjatë protestës pranë Parlamentit për Top-Channel.
Akademikët e hodhën poshtë këtë pretendimin se qindra pedagogë të lidhur me PD janë bërë pjesë e protestës, duke këmbëngulur se vendimi për t’iu bashkuar studentëve është marrë në mënyrë të pavarur.
“Vendimin e kanë marrë pedagogët, nuk e ka marrë as Partia Demokratike, as Lapaj, as Shehaj, askush”, tha politologu Ermal Hasimja.
Për të tretën ditë radhazi, pedagogët e universiteteve publike dhe private dolën në mbështetje të studentëve, ndërsa vijon bojkoti i mësimit. Ata theksuan se protesta nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë, por kundër gjithë klasës politike dhe sistemit që, sipas tyre, duhet të ndryshojë.
“Mendoj që pedagogët duhet të luanin një rol akoma më drejtues, më udhëheqës. U bëj thirrje që të jenë më shumë”, deklaroi pedagogu Ervin Goci.
Edhe pedagogë të tjerë nënvizuan se kauza studentore nuk mund të përvetësohet nga partitë politike.
“Qeveria përpiqet ta delegjitimojë këtë protestë duke e paraqitur si protestë huliganësh. Jo, kjo është një protestë qytetarësh që kërkojnë të rikthejnë besimin te vota dhe te mundësia reale për të ndryshuar qeverisjen nëpërmjet zgjedhjeve”, tha pedagogia Mimoza Manxhari.
Mesazhi i akademikëve ishte i qartë: protesta është e studentëve dhe nuk diktohet nga asnjë parti.