E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolucion, ku je?

27-08-2012 / Nga Anamari Repic

Para revolucionit, ndodhet njeriu, i cili është i dashuruar me evolucionin

Revolucion, po të ishe qenie e gjallë, a do të ishe femër apo mashkull? I varfër apo i pasur? I lirë apo i robëruar? Qenia ime irracionale më shtyn të mendoj se të ka kaluar koha, dhe se tani është koha e evolucionit. I riu, endacaku dhe artisti bërtet nga uria, por, gjatë kësaj urrejtjeje të tij të pafuqishme, ai i mllefosur përshëndetet nga perandoria e tij, Shën Baala. Kështu në librin “Uria”, autori Knut Hamsun e përshkruan pafuqinë e urisë, për shkak të së cilës një i ri i drejtohet krijuesit me pyetjen: “A mos ndoshta ishe duke fjetur derisa po e krijoje zemrën dhe shpirtin tim?”. E pastaj, për shkak të mosbesimit dhe jetës së vështirë, përshëndetet nga ajo: “Ty po të them, nëse ekziston; po ta them fjalën time të fundit për jetë a vdekje. Po të them – lamtumirë. E tani po heshti, po i kthehem vetvetes, dhe po nisem rrugës sime”. Edhe unë po pyetem se, kujt mund t’i drejtohet sot njeriu për urinë dhe nëpërkëmbjen e tij. Për thyerjet, mashtrimet e vuajtjet, për pak bukë, qumësht, oriz, për pak ujë. A ka dikush që mund të dëgjojë klithmën e pritjes, imagjinatën, planifikimin? A mos kjo diçka do të vijë nga qielli, apo digjet diku brenda nesh? Vetëm i urituri e di këtë gjë.
Gjatë mendimeve të tilla për pafuqinë njerëzore, e inicioj një kërkim hetim irracional të revolucionit. Dëshiroj që ai të dëgjojë monologun dhe klithmën time. E analizoi shumëkush, për shumë shekuj. Për dikë revolucioni ishte destruktiv; për disa nënkuptonte një risi të panjohur; për disa të tjerë ndryshime pozitive, një ndryshim të sistemit; disa të tjerëve u jepte fuqi për t’u mbrojtur nga tirania; e për shumëkënd tjetër mbeti vetëm një ëndërr. E unë tani po të pyes: revolucion, a mos i braktise banorët e këtij planeti, masat popullore, të varfrit, të mëdhenjtë e të vegjlit, mos ua ktheve shpinën. I urdhërove, pothuajse padukshëm, që ditën, natën, në punë, në shoqëri, në shi e diell, në veri e në jug, që, kur të sundojnë, por edhe kur të lypin, të pranojnë e po vuajnë. Që të luftojnë për mbijetesë, secili në mënyrën e vet - të pasurit për miliarda e shkëlqim, e të varfrit për bukë dhe për kulm mbi kokë. Dikur sillje ndryshime me popullin në ballë, e sot populli është në fund. Ndryshimet iu përshtaten individëve e ata si të tillë bëhen elitë – pushtet i paprekshëm, që kërkon ta duam me përulje. Vjedhin, rrejnë, fajësojnë, buzëqeshin, fshihen, me para blejnë gjithçka. Mos të kanë blerë edhe ty, o revolucion? Populli e di që ekziston, por nuk të do, nuk të beson.
Nuk ka kohë të mendojë për ty, që të të ketë nevojë, të të planifikojë, sepse dëgjon për jahte, për vila, për silikone, për ndeja, për arritje seksuale të politikanëve, të priftërinjve, të yjeve filmike. Nuk ka forcë të ëndërrojë për ty, se ëndrrat ia vranë robotët, anijet kozmike, sëmundjet eksperimentale. Populli po fle. Po fle përderisa po lind një fëmijë, i cili pret që të dhunohet, të infektohet me urrejtje, me drogë, me luftëra, me religjion, me para. Në shkollë e presin profesorë nervozë, të lodhur, të humbur, të palumtur - disa nga ta pedofilë, disa alkoolistë, dhe disa që fërkojnë duart nga shantazhet. Populli të tradhtoi sërish, ua ktheu shpinën udhëheqësve. I zgjedh, por nuk iu beson. I kritikon, por nuk i ndërron. Populli ka frikë, sepse ti e ke braktisur. Pa ty pushteti fitohet pa fitore, bekimin e japin ata që vrasin, gjeneralët e luftërave fshihen, e populli i mbron nga drejtësia dhe viktimat. Pa ty populli i voton ata që e rrejnë, fajësojnë, ulin pagat, pensionet, për ata që vendosin kufij. Për ne tani rëndësi kanë përqindjet, numrat zgjedhorë, dhe ata në banka. Revolucion, mos je ti e kaluara jonë? Nuk po mund të të nisim. Kemi mbetur pa ideale, pa ide, pa drejtim. As që më intereson në cilin sistem jetojmë, kur institucionet i respektojnë të drejtat e njerëzve vetëm selektivisht, kur organizatat joqeveritare shndërrohen në një mafi financiare, kur universitetet kanë interesa politike e ekonomike.
Ta dish, revolucion, se territoret që i quajtëm shtete po bëjnë edhe gjëra pozitive, atëherë kur pasanikëve po ua dyfishojnë pasuritë, ose atëherë kur religjioneve po u mundësojnë që të pafeve t’ua imponojnë Zotin. Më me rëndësi i kemi automobilat, tenisin, manekinet, stilin, kaloritë, vizitat masazhisteve, depilimet, thonjtë rremë – aq sa për t’i mjaftuar vetvetes. Pa ty, revolucion, po mësojmë se cilët futbollistë marrin rroga milionëshe, dhe përse rrogat e tyre janë më të ulëta se të lojtarëve të golfit. Por, edhe atë se përse vdesin minatorët. Populli e ka humbur kompasin, e ti po fle. Revolucion, unë kam bërë një listë: nuk e dimë nëse kapitalizmi është i keq apo i mirë; nuk e dimë nëse ka përfunduar tranzicioni; nuk e dimë nëse ka mjaft naftë për të gjitha lukset tona; nuk e dimë nëse ka Zot, ose nuk ka; nuk e dimë se çka është me rëndësi; nuk e dimë a jemi në Europë, apo jo; nuk e dimë se cili popull është më i vjetër; nuk e kuptuam ende se a jemi vetëm në gjithësi; nuk e dimë se përse s’ka ushqim për të gjithë; nuk e dimë se përse dikujt i duhen miliardat që s’mund t’i shpenzojë gjithë jetën... Më fal, revolucion, sepse lista vërtet është goxha e gjatë.
Revolucion, po të ishe qenie e gjallë, a do të ishe femër apo mashkull? I varfër apo i pasur? I lirë apo i robëruar? Qenia ime irracionale më shtyn të mendoj se të ka kaluar koha, dhe se tani është koha e evolucionit. Kur njeriu të evoluojë, ai duron deri në vdekje. Duron sepse është i bardhë, e vuan sepse është i zi; duron sepse është i ri, e vuan sepse është i vjetër. Edhe pse po shkruaj për një mllef të pafuqishëm, si ai djaloshi i uritur, nuk dua që të përshëndetemi dhe që njeri-tjetrit t’i themi lamtumirë. E vetmja gjë që po shoh tani është se ti po ndërron formë, dhe se përpara syve ke njeriun, të cilit i ka humbur nevoja për ty.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Express"

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›