E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolucioni seksual i Roth

Vjen në shqip libri që tronditi moralin amerikan, “Ankimi i Portnoit” i Philip Roth. Një monolog seksual, rrëfimtari është i paturpshëm, deri në detaje intime, dhe gjuhë abuzive që i përgjigjet frustrimit seksual. I botuar në vitin 1969, ky libër u pasua me një stuhi polemikash mbi trajtimin e tij, të qartë dhe sinqeritet seksual.

Kur në vitet ‘60 po ndodhnin kapërcimet e mëdha historike, për t’u shkëputur nga psikologjia idealiste e frontit, krijuar nga Lufta e Dytë Botërore, shkrimtari amerikan Philip Roth boton romanin më sensacional, duke i dhënë famë njëkohësisht. Bëhet fjalë për “Ankimin e Portnoit”, botuar në vitin 1969, e përkthyer së fundmi edhe në shqip, nga Shpëtim Myshketa, botimet “Skanderbeg books”.

Libri u ndoq nga një stuhi polemikash mbi trajtimin e tij, të qartë dhe të sinqertë të seksualitetit. Libri është konsideruar një monolog seksual i Philip Roth shoqëruar me vlerësime dhe kritikë si një libër komik i pamëshirshëm rreth seksit, i pashkruar deri tani. Protagonist është Aleksandër Portnoi, i cili rrëfehet tek psikanalisti për çfarë i ndodh me seksin, epshin, obsesionin, joshjen, lojërat dhe vuajtjet e tij seksuale. Ky monolog është i gjatë, një rrëfim i të riut çifut që ka krijuar varësi nga seksi, diktuar nga epshi dhe si kundërrrymë fatale për të mos cenuar kodet morale të përcaktuar nga familja e tij në breza.

Kjo trysni që shkakton Roth vjen përmes një rrëfimi sa komik, të vërtetë, po edhe të dhimbshëm. Çrregullimi fizik, impulse altruiste, dëshira e skajshme seksuale e tij, shpesh në natyrë perverse e çojnë Portnoi-n të ndodhet në situatë komplekse dhe të vështirë, deri në problematikën e identitetit. Monologu seksual i protagonistit, të riut çifut, mbushet me humor, ndërsa rrëfehet te psikanalisti i tij në “detaje intime, të turpshme dhe gjuhë abuzive”. Shumë nga këto karakteristika (proza komike, temat e dëshirës seksuale dhe frustrimit seksual) vazhduan të bëheshin marka e Roth.

Në vitin 1998 Biblioteka Moderne e rendit “Ankimin e Portnoit” në vendin e 52-të të 100 librave më të mira të shkruar në shekullin e 20-të në gjuhën angleze, që kap harkun kohor prej vitit 1923 deri më 2005.

Roth nuk e sheh me delikatesë përcaktimin e temës kryesore të librit të tij. Ai e konsideron këtë si një manual për mosfunksionimin seksual.

Temat e tjera që prekin librin përfshijnë përvojat asimiluese të hebrenjve amerikanë, në marrëdhëniet e tyre ndaj hebrenjve të Izraelit, ku kënaqësitë dhe rreziqet e rrëfimit shihen si të natyrshme në të qenët bir i një familjeje hebreje.

“Ankimi i Portnoit” vlerësohet gjithashtu si emblematikë e kohës gjatë së cilës u botua. Më qartë, sinqeriteti seksual i librit ishte një produkt dhe një frymëzim për revolucionin seksual që ishte në aktivitet të plotë gjatë viteve 1960. Dhe në stilin e librave narrativë, një largim i madh nga proza madhështore gjysmë xhejmsiane e romaneve të mëparshme të Roth.

Për shkak të natyrës intime po aq dhe delikate, mbi romanin që prej botimit të tij, ka pasur spekulime të tepruara për librin sa mund të jetë trillim, si mbulim i autobiografisë së autorit.

Ashtu si Portnoi, edhe Roth u ndikua shumë si një adoleshent nga dramat e Luftës së Dytë Botërore dhe dramaturgu Norman Corwin. Ka një ngjashmëri për nisjen e krijimtarisë herët, si nga personazhi ashtu dhe Roth.

Karriera e Portnoit si avokat për të drejtat civile reflekton vetë idealizmin popullor të frymëzuar nga fronti. Personazhi kryesor femër është një karikaturë e gruas së parë të Roth-it, që rreket të hyjë brenda identitetit të Porntoit si te Roth. Roth dhe Portnoi ndajnë të njëjtin vit lindjeje.

Botimi i romanit ka shkaktuar një debat të madh edhe në diskursin publik amerikan.

Debati lidhet me përshkrimet e sinqerta mbi seksualitetin, e cila ishte revolucionarizuar në fund të viteve ‘60. Po ashtu edhe portretet e hebrenjve, depërtimi në identitetin e tyre shkaktoi trazira në komunitetin e hebrenjve, po ashtu dhe në mesin e intelektualëve të Nju Jorkut.

Në vitin 1969 libri u shpall një “import i ndaluar” në Australi dhe botuesit iu desh t’i çonte në një vend sekret për t’i ruajtur. Shumë biblioteka në Shtetet e Bashkuara e ndaluan librin për shkak të diskutimit të detajuar të seksualitetit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›