E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rexhë Mehmeti, njeriu i folkut. Mjeshtri i heshtur që ndërton më shumë se vegla popullore

Midis telave të lahutës, drurit të çiftelisë dhe frymës së fyellit, ky mjeshtër i heshtur ndërton më shumë se vegla popullore.

Ai është Rexhë Mehmeti, njeriu i folkut.

Mes fjalëve të pakta, duarve të palodhura dhe këngës që i lind vetvetiu nga shpirti, ai nuk e ndan muzikën nga jeta.

“[E kam që] 100 vjet. E kam si shtëpi. Unë mund të jem brezi i katërt që e trashëgoj këtë. I bie me kënaqësi. Janë vegla që pa këto nuk ka jetë,” thotë mjeshtri i veglave popullore.

Dashuria për tingujt popullorë mbetet e gjallë në çdo brez.

Muzika tradicionale, me çiftelinë në krye, vazhdon të ngjallë emocione dhe të mbledhë njerëzit në valle, falë magjisë që përcjellin tingujt e saj të veçantë.

“Vijmë nga Gramshi në Dibër të Madhe, në Preshevë, Kosovë e hajde deri në Ulqin, Krujë, në gjysmën e Tiranës, i bien çiftelisë 80 për qind. Një valle e telit, Vallja e Rugovës, ndezin gjithë sallat. Janë gjëra me vlerë. Duhet t’i trashëgojmë,” shprehet z. Mehmeti.

Ndërsa telat dridhen në duart e tij dhe kënga merr jetë, kupton se Rexha nuk është thjesht mjeshtër i veglave muzikore, por një ruajtës i shpirtit popullor, që i jep zë traditës me tingujt e lashtë.

Gazetare: Blerta Cina

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›