E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: Do të kërkoj dëmshpërblim nga AKK

Prorektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Sejdi Rexhepi, ka mohuar pretendimet e Agjensicë Kundër Korrupsionit (AKK), se ai i ka kërcënuar anëtarët e AKK-së në vendin e tyre të punës.

Në komunikatën e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AAK), thuhet se dje në mëngjes, rreth 8:30, Rexhepi ka hyrë në zyrat e Agjencisë dhe ka kërcënuar zyrtarët e saj për një vendim që Agjencia më 7 maj 2013 kishte marrë ndaj tij, pasi që ai në asnjë mënyrë nuk ka pranuar t’i shmanget konfliktit të interesit në të cilin ndodhet (duke qenë prorektor i Universitetit “Hasan Prishtina” dhe anëtar i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës). Sipas AKK-së, ai ka kërcënuar zyrtarët e Agjencisë se do t’ia shohin “sherrin” dhe se nuk do ta ndalë në asnjë formë betejën me ta meqë vendimi në rastin e tij, për konflikt të interesit, është bërë publik.

Në anën tjetër, Prorektori Rexhepi pretendon se AKK-ja ka marrë një vendim të pabazuar, i cili e ka cenuar integritetin e tij personal, duke pretenduar nuk ka konflikt interesi me ushtrimin e postit të prorektorit në Universitetit “Hasan Prishtina”.

“Për shkak të këtij vendimi të tyre, jam para aktit të dhënies së dorëheqjes. Faktikisht, pres ecuritë e mëtutjeshme në këtë drejtim. Për këtë dëm që ma ka shkaktuar AKK deri tash, do të kërkoj kompensim deri në instancat e fundit. Nëse kjo merret si kërcënim, atëherë është gabim, sepse ata kanë marrë një vendim me të cilin është dashur të japin një këshille juridike, se në cilën instancë mundem për tu ankuar. Nuk janë ata e vetmja instancë në Kosovë e cila ka të drejt të marrë vendim dhe në të njëjtën kohë të mos lejojë që ai i cili pretendon që është i dëmtuar të mos ketë ku të ankohet”, tha ai për Telegrafin.

Sipas tij, shkuarja e tij në AKK ka qenë për të dhëne sqarime dhe për të kërkuar këshilla juridike, sepse “një vendim që e merr një instancë duhet ta ketë edhe këshillën juridike se ku mund të bëjë ankesën”.

“Natyrisht, kam përmendur argumentet e mija se ata nuk kanë pasur të drejtë juridike që të marrin një vendim të tillë. Këto kanë qenë fjalët që i kam thëne unë. Ata më kanë shkaktuar dëm personal, moral dhe shpirtëror, për të cilat do të kërkoj dëmshpërblim. Deri në instancat e fundit do t’i përdori të gjitha mjetet e mundshme juridike. Kjo ka qenë ajo që unë kam diskutuar me anëtarët e AKK-së, duke mos e mohuar se biseda ka mundur të jetë me një ton më të lartë”, ka deklaruar Rexhepi.

Në anën tjetër, avokati Tomë Gashi, përfaqësues juridik i Sejdi Rexhepit, përmes një kumtese ka deklaruar se “Agjencia kundër Korrupsionit është duke i dezinformuar qytetarët e Kosovës”.

“E kam këshilluar që të lajmërohet tek zyrtarët e Agjencionit për tu njoftuar me të drejtat e tij, dhe me të vetmin qëllim që eventualisht të mos i humb afatet ligjore në mbrojtjen e interesave të tij”, thuhet në kumtesë. “Niveli i disa zyrtarëve të Agjencionit nuk është as i përafërt nivelit intelektual, shkencor dhe profesional dhe moral të z. Sejdi Rexhepit. Ai nuk do të merret me trillimet e disa zyrtarëve të Agjencionit, por do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet juridike për t’i mbrojtur interesat e tij”. /Indeksonlione/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›