E Diel, 1 Nëntor 2026

Rexhepi Plagosen dy ushtare te KFOR

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi deklaron se në operacionin e kryer të premten nga KFOR për heqjen e barrikadave në veri janë plagosur dy ushtarë të KFOR-it dhe tre protestues serbë.

Rexhepi, bën me dije Kosovapress, konfirmoi arrestimin e disa protestuesve serbë.

Duke folur për gjendjen në veri të Mitrovicës, Rexhepi ka thënë se mbetet ende e tensionuar dhe ka shtuar se KFOR-i mbetet i vendosur për të garantuar lirinë e plotë të lëvizjes për qytetarët e asaj pjese.

“Gjendja në veri të Mitrovicës mbetet ende e tensionuar. KFOR-i është i vendosur të vendosë lirinë e lëvizjes. KFOR-i ka larguar dy barrikada, është në gjendje gatishmërie edhe topi me ujë dhe gaz lotsjellës. Deri më tani kemi dy ushtarë të KFOR-it të plagosur, njëri është plagosur rëndë. Ndërkaq nga radhët e protestuesve serbë kemi tre të plagosur, që po mbahen për kurim në spital dhe kemi një numër të konsiderueshëm protestuesish të arrestuar, të cilët janë transferuar në anën jugore të Mitrovicës”, ka thënë Rexhepi.

Plagosjen e ushtarëve të KFOR-it e ka konfirmuar edhe vetë KFOR-i përmes një komunikate për media, ku ka bërë të ditur se dy ushtarë të saj janë plagosur gjatë operacionit të heqjes së bllokadës në Rudar.

Kocijancic: Të shqetësuar për situatën në veri

Bashkimi Evropian ka reaguar në lidhje me situatën më të fundit në veriun e Kosovës, të cilën e ka cilësuar shumë shqetësuese, duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje.

“Është e vërtetë se jemi shumë të shqetësuar për situatën aktuale në veri të Kosovës, ku dhuna nisi gjatë një operacioni të KFORit për të hequr barrikadat. Ju e dini se për ne, parimi bazë i lirisë së lëvizjes është një nga parimet kyçe, e kjo është dhe një nga çështjet e diskutuara në dialogun Prishtinë-Beograd. Për momentin ngjarjet në terren janë në zhvillim e sipër dhe ne jemi në kontakt me partnerët tanë të NATOs. Dhe si gjithnjë në raste të tilla, ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të bashkëpunojnë më organizatat ndërkombëtare në Kosovë", tha Maja Kocijancic, zëdhënëse e Catherine Ashton.

Megjithëse garantimi i lëvizjes së lirë është detyrë e misionit të BEsë në Kosovë, sipas zëdhënëses së Catherine Ashton, EULEX nuk është përfshirë në operacionin e sotëm që është zhvilluar vetëm nga KFORi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›