Rexhepi nuk do të tërhiqet për vënien e ligjshmërisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka kërkuar nga presidenti serb, Boris Tadic që të mos të përzihet në punët e Kosovës.
Ministri Rexhepi këto komente i bëri pasi presidenti serb Tadic kishte deklaruar se Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme në Kosovë, po kërcënon me luftë kur deklaron se do të dërgojë Njësitë speciale të policisë në Mitrovicë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës me këtë rast theksoi se Tadic ka dështuar në Këshillin e Sigurimit dhe po vazhdon të dështojë në çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën, prandaj si justifikim të këtyre dështimeve merret me deklaratat e tij.
Rexhepi theksoi se pavarësisht çfarë ka thënë Tadic, nuk do të tërhiqet për të realizuar vënien e ligjshmërisë në veri dhe shumë shpejt sipas tij pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të shkojnë në atë pjesë për t'i arrestuar kriminelët dhe vënë ligjshmërinë.