E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi paralajmëron heqjen e bllokadave

Nga Express më 20 shtator 2011 në ora 11:33

Shpërndarjen e porosive nga ana e KFOR-it se duhet t’i heqin bllokadat dhe të lirojnë rrugët, serbët lokal atje duket se nuk i kanë marr seriozisht, pasi ata iu kundërpërgjigjen me një pamflet tjetër, ku thuhet se nuk janë të gateshim t’i heqin ato.

Si do qoftë Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se gjatë këtyre ditëve autoritetet e Prishtinës do të bisedojnë me EULEX-in e KFOR-in se si do të zgjidhet situata në veri, përkatësisht se a duhet dhe kur duhet të nis aksioni për heqjen e barrikadave.

“Jeta duhet t’i kthehet normales. Do të bisedojmë me EULEX-n dhe KFOR-in se çka do të bëjmë me barrikadat”, ka thënë Rexhepi për mediat serbe, transmeton indeksonline.

Rexhepi: Plani i Qeverisë ka prodhuar barrikada, jo siguri

Nënkryetari i Komisionit për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrjen e FSK-së, Rexhep Selimi, konsideron se në veri të vendit situata nuk është vetëm e tensionuar, por është shumë e rëndë, e ndërlikuar dhe që nuk po vazhdon të ndryshojë për të mirë, por është më e rëndë sesa para intervenimit të parë të Qeverisë më 25 korrik, për marrjen e pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Selimi ka thënë në një intervistë për Kosovapress se plani i Qeverisë së Kosovës në vend se të krijonte siguri për qytetarët, ka prodhuara barrikada dhe sipas tij, Qeveria duke i lejuar barrikadat e betonuara, po kërkon ta krijojë një realitet të ri në veri.

“Unë kam të drejtë të dyshoj dhe ta kem mendimin tim të bazuar se Qeveria duke i lejuar barrikadat e betonuara, po kërkon ta krijojë një realitet ku para qytetarëve do të quhej si një lloj justifikimi, se ‘kaq ne mund të bëjmë’. Madje edhe në takimet tona që i kemi edhe joformale, ata thonë ‘kaq është kaçiku ynë’. Unë mendoj që nuk është kaq kaçiku ynë. Kaçiku ynë do të jetë në përputhje me kompetencat që ka marrë kjo qeveri, sepse kompetencat e kësaj qeverie nuk janë që të tregojë se çfarë kaçiku ka, por kompetencat e saj janë që të garantojë sovranitetin e Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, Qeveria është në krizë të brendshme dhe plani operacional për veriun, i ka shërbyer si justifikim për ta mbuluar këtë krizë të brendshme, por ajo që ka nxjerrë ky plan janë barrikadat, e jo siguria e qytetarëve.

“Patjetër që Qeveria dhe institucionet e Kosovës nuk do duhej ta vlerësonin situatën nga zyrat e veta, por duhet të jenë shumë më afër qytetarëve atje. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës para se të bëjë akte për ta justifikuar krizën e vetë të brendshme, do duhej të merrej me këtë çështje shumë më seriozisht, por sidoqoftë, Qeveria e Kosovës dhe institucionet e sigurisë së Kosovës do duhej ta bënin një plan operacional, i cili do të prodhonte siguri, e jo një plan që ka prodhuar barrikada”, ka thënë ai.

Selimi ka theksuar se institucionet e Kosovës në veri po veprojnë me kapacitetet më të vogla të mundshme, përderisa trupat e KFOR-it, sipas tij, po e kryejnë detyrën për aq sa munden dhe duke e pasur parasysh mandatin e tyre të mbështetur në Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244, nganjëherë në aspektin pozitiv, madje po e kalojnë këtë mandat.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje thekson se në veri situata është shumë më e ndërlikuar sesa që interpretohet nga institucionet e Kosovës.
“Unë isha atje, unë pash nga afër gjendjen e sigurisë, sidomos në dy lagjet që Qeveria po vazhdon t’i quaj ‘sensitive’, pra lagjen Boshnjakëve dhe Lagjën e Tre Rrokaqiejve. Atje situata është shumë, shumë më e ndërlikuar sesa interpretohet nga institucionet e Qeverisë së Kosovës. Atje njerëzit janë normalisht në një stres permanent. Atje njerëzit kanë nevojë për një siguri nga institucionet e Kosovës. Atje njerëzit kanë nevojë qoftë edhe t’i takojmë ata dhe t’i inkurajojmë për të qëndruar atje dhe jo të kërkojmë ashtu siç ndoshta kërkohet ndonjëherë mes rreshtave se ju mund të rrini atje, por edhe mund të tërhiqeni kurdo”, ka thënë Selimi.

Ai ka drejtuar kritika edhe për ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se institucionet e Kosovës nuk janë përgjegjëse për heqjen e barrikadave, por është KFOR-i dhe EULEX-i.

Sipas Selimit, ministri Rexhepi po tregohet shumë i papërgjegjshëm dhe në vend se të kryej punën e ministrit, është shndërruar në një zëdhënës të shefit të tij, kryeministrit Hashim Thaçi.

“Në fakt ministri Rexhepi po tregohet shumë i papërgjegjshëm dhe nuk dua ta diskutojë, për shkak se ai nuk po vazhdon të jetë në krye të detyrës si ministër, por si një zëdhënës i shefit të tij. Ne nuk kemi nevojë për një zëdhënës të kryeministrit, por për një ministër të Punëve të Brendshme, i cili i kupton mirë detyrat e tij dhe në përputhje me aftësitë e veta e ushtron detyrën dhe aftësitë, të cilat po vazhdojnë t’i mungojnë atij”, është shprehur Selimi.

Sa i përket çështjes së reciprocitetit, Selimi ka thënë se heqja dorë nga reciprociteti është një rikthim tashmë më shumë legal sesa përpara, i invazionit ekonomik të Serbisë mbi Kosovën. Ai ka thënë se ndaj Serbisë duhet të vazhdohet me reciprocitet dhe jo vetëm në ndalimin e mallrave, por në të gjitha sferat, ngase Kosova ka treguar se mund të jetojë pa Serbinë edhe në aspektin politik edhe në atë ekonomik.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›