Rey Manaj reagon pas vendimit të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj ka reaguar në rrjetet sociale pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Dhomat e Specializuara shpallën më 16 shtator aktgjykimin e shkallës së parë në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Të katër u shpallën fajtorë për vepra penale të lidhura me krime lufte dhe u dënuan me gjithsej 81 vite burgim.
Pas vendimit, Manaj, i cili aktivizohet te Sivasspori, ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi me logon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të shoqëruar me një mesazh për sakrificën dhe lirinë.
“UÇK-ja nuk është vetëm një emër në histori. Është një sakrificë që nuk harrohet, një liri që nuk erdhi falas”, shkruan Manaj.
Sulmuesi i Kombëtares e ka shoqëruar reagimin edhe me një fotografi nga festimi i golit të shënuar ndaj Serbisë, në ndeshjen kualifikuese të Botërorit.
/e.i/a.f/