E Diel, 1 Nëntor 2026

UASHINGTON – SHBA-ja: Respektojmë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

UASHINGTON, 16 shtator /ATSH/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan sot se respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë vendimin e gjykatës.

“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për “Radio Evropa e Lirë”.

Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa ritheksoi angazhimin për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.

Uashingtoni u bëri thirrje gjithashtu të gjitha palëve të shmangin retorikën nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i shpallën katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mbrojtja ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›