E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rezoluta antikorrupsion, Qefalia: Qëllimi, të mos preket reforma në drejtësi

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia deklaroi sot se qëllimi i rezolutës antikorrupsion të miratuar në Kuvend është që të mos preket Reforma në Drejtësi.

Qefalia tha se kjo bëhet për të garantuar që cilado forcë që do të vijë në pushtet pas vitit 2025 të mos fusë duart në këtë reformë.

Deputeti socialist shtoi se, ka bindjen se edhe opozita do ta gjejë vendin e vet në komision.

“Thelbi është lufta kundër korrupsionit pra 8 pikat që përshkruhen në këtë rezolutë kanë të bëjnë me vlerësimin që i bëhet reformës në Drejtësi në vitin 2026. Kjo rezolutë, një ndër pikat që ka, është se cilado qoftë mazhoranca që do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të 2025, të mos fusë duart në këtë reformë. Qëllimi është të mos preket reforma në drejtësi”, tha Qefalia.

Ai theksoi se, “në asnjë rast nuk do të ndërhyhet për ta zhbërë atë që është miratuar. Kam bindjen se opozita do ta gjejë vendin e vet në komision. Do të gjendet një modul i tillë që do ta bëjë opozitën të jetë e pranishme. Duke pasur në konsideratë që të mos ndërhyhet që institucionet të funksionojnë në mënyrë normale për të pasur një mekanizëm, që t’i shtyjmë më tej të gjitha proceset që Shqipëria të vazhdojë e të plotësojë të gjitha kriteret e tjera dhe ta bëjnë vendin e barabartë dhe anëtar të BE-së”.

“Thelbi është që të kalojmë përtej kufijve zgjedhor. Do të jetë një komision konsultativ. Nëse do të ketë domosdoshmëri për ndërhyrjen në kuadrin ligjor natyrisht që ndërhyrja do të bëhet e tillë. Nuk ka arsye të ketë frikë PS nga SPAK sa kohë ka qenë nismëtare për Reformën në Drejtësi. Ne nuk jemi për të zhbërë atë që kemi bërë në 2016”, tha Qefalia.

I pyetur në lidhje me votën e diasporës, Qefalia u shpreh se, ka mosbesim midis palëve.

“Diaspora duhet të votojë pasi ka një kontribut të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Unë mendoj se këtu ka mosbesim midis palëve, pasi ne jemi paragjykuar shpeshherë për rezultatin e zgjedhjeve. Ka një mosbesim midis palëve. Duke parë dhe takimet e suksesshme të Ramës, frika është shtuar”, tha Qefalia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›