E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rezoluta e PPE për zgjedhjet, Rama: Alibia e humbjes paska filluar. Salla bosh e partive simotra votoi fletë-rrufenë e Kënetës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me miratimin e rezolutës së PPE për zgjedhjet, që u njoftua nga zyra e shtypit të Partisë Demokratike. Sipas Partisë Demokratike, rezoluta adresoi “në unanimitet” shqetësimet e parashtruara nga kjo force politike për manipulim të procesit zgjedhor.

Në një postim në X, Rama i referohet rezolutës si “fletë-rrufeja e Kënetës”, ndërsa e konsideron atë si “alibi të humbjes” për Partinë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit.

“Alibia e humbjes paska filluar në gjirin e PPE, ku salla bosh e partive simotra paska votuar unanimisht fletë-rrufenë e Kënetës Madhështore për humbjen e lirisë së zgjedhjeve. Një tekst kua-kua-kuash që tregon se iluzioni i ëmbël i Latif magjistarit, po ia le vendin ndjesisë së hidhur të humbjes madhështore të 11 majit”, shkruan Rama.

Sipas PD-së, rezoluta thekson si probleme kryesore blerjen e votave, keqpërdorimin e burimeve publike, punësimet elektorale dhe favorizimin e mbështetësve të PS-së. Punimet e këtij kongresi u ndoqën nga Kryetari i PD-së, Sali Berisha i cili në fjalën e tij kërkoi monitorim të shtuar për procesin zgjedhor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›