Rezultatet e CENSUSIT: 83% janë shqiptarë, 0.87% greke
Shqipëria ka më shumë katolikë se ortodoksë, 57 % myslimanë
Nga Muhamed Veliu
TCH
INSTAT ka përfunduar përpunimin e të dhënave të mbledhura nga censusi dhe pritet të deklarojë rezultatet më datë 13 dhjetor. Por Top Channel nga burime diplomatike në Tiranë, ka mundur të sigurojë përfundimet e censusit 2011, për dy prej aspekteve të më rëndësishme të tij, që janë kombësia dhe feja.
Kombësia
Pyetjes në formularin e censusit që lidhet me kombësinë i janë përgjigjur si shqiptare 83% e të pyeturve. Një e dhënë tjetër interesante lidhet edhe me numrin e minoritetit grek në Shqipëri, për të cilin ka pasur debate të vazhdueshme. 0,87% është numri atyre që e kanë deklaruar kombësinë si greke, ndërsa 0,2% janë deklaruar me kombësi maqedonase.
Besimi fetar
Të dhënat për besimin fetar të shqiptarëve, të mbledhura nga censusi, tregojnë se 57,12% janë deklaruar si myslimanë, 10,11 katolikë, ndërsa 6,8% ortodoksë. Ateistë janë deklaruar 2,52%, bektashianë 2,11 % ndë rsa evangjelistë 0,11 %. Rezultatet e censusit, që lidhen me kombësinë, pritet të prodhojnë debate të forta, veçanërisht nga shoqatat e minoritetit grek, të cilat janë shprehur kundër censusit dhe kanë ndërmarrë një regjistrim të tyrin të minoritarëve në jug të vendit. Një tjetër shifër që bie në sy është ajo e komuniteteve fetare, më saktë atij të krishterë, ku për herë të parë zyrtarisht bashkësia katolike sipas shifrave të censusit është më e madhe se ajo ortodokse.
Popullsia
Disa javë më parë INSTAT publikoi disa të dhëna paraprake nga ku rezulton se popullsia e Shqipërisë është 2,831,741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga censusi i vitit 2001 ishte 3,069,275. Vihet re se numri i popullsisë në vitin 2011 është zvogëluar me 7.7% gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Supozohet që shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë. Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri, popullsia, e cila jeton në zonat urbane, është më e madhe se ajo në zonat rurale. Kështu, 53.7% e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 46.3% në zonat rurale. Censusi 2011 në Shqipëri është i 11-ti në historinë e censuseve të kryera në vendin tonë. Ai është pjesë e censuseve të planifikuar nga UNECE/Eurostat në të gjithë botën.
Kombësia
-Shqiptare 83%
-Greke 0,87%
-Rome 0,3%
-Aromune 0,3%
-Maqedonase 0,2%
-Egjiptiane 0,12%
-Malazeze 0,01%
-Të tjerë 0,1
-Nuk u përgjigjën 14,07
Feja
-Islame 57,12
-Katolikë 10,11
-Ortodoksë 6,8
-Bektashianë 2,11
-Evangjelistë 0,11
-Kristianë (të tjerë) 0,1%
-Ateistë 2,52
-Besimtarë të pakarakterizuar 5,53
-Besime të ndryshme 00,2%
-Nuk u përgjigjën 13,89 %