Rezultati i Tiranës, KQZ “rrëzon” kërkesat e PS dhe PD
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendos sot për fatin e katër ankesave, të paraqitura para tij, për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Megjithëse verdikti i tij është i paracaktuar, për shkak të mungesës së duhur të votave, KQZ do të zhvillojë sot dhe një seancë të dytë, për të kryer në mënyrë krejt formale administrimin e provave të kërkuara nga demokratët dhe socialistët dhe që lidhen me objektin ankesave të paraqitura prej tyre. Pavarësisht se asnjëra palë e përfaqësuar në tryezën e këtij komisioni, nuk ka shumicën e votave për të ndryshuar në këtë fazë tabelat e rezultateve, sipas objektit të kërkesave të paraqitura, komisionerët por edhe përfaqësuesit ligjore të partive politike, kanë debatuar për më shumë se 5 orë duke paraqitur argumente pro dhe kundër katër kërkesave të paraqitura, dy nga PS, një nga PD dhe një nga Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë, të cilat në thelb të tyre kishin pikërisht goditjen e vendimit 710 dhe 711, me anë të cilit zyrtarizohet rezultati për Bashkinë Tiranë.
Pretendimet e PS
Pas vendimit për rrëzimin e kërkesës për pezullim, seanca ka vijuar me parashtrimin e kërkesave respektive nga avokatët e secilit subjekt politik që kishte bërë ankimim në KQZ. Të parët që kanë paraqitur pretendimet e tyre kanë qenë socialistët, ku dy avokatët Eridian Saliani dhe Eno Bushi kanë paraqitur kërkesat për vendimet 710 dhe 711, duke theksuar se KQZ kishte tejkaluar kompetencat në këto dy raste, duke ndryshuar tabelat e rezultateve të ardhura nga KZAZ-të. “Çdo vendim i marrë për të urdhëruar ndryshime në tabelat e rezultateve të QV-ve të ZAZ-ve të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë, rezulton të jetë dukshëm në kapërcim të kompetencave ligjore nga KQZ, si akt në kundërshtim flagrant me ligjin dhe si të tillë duhet të konstatohet pavlefshmëria e atyre vendimeve”, tha Eno Bushi.
Pretendimet e PD
Ndërkohë që avokatët e PD-së, Ivi Kaso dhe Oerd Bylykbashi, duke prezantuar kërkesën e PD-së, kanë vlerësuar si të drejtën legjitime që të kërkohet rivlerësimi i votave të caktuara, siç është rasti i votave të kontestuara gjatë procesit të numërimit. “Ne vlerësojmë se në këtë fazë është me vend dhe me rëndësi për t’i shtuar legjitimitetin dhe besimin e duhur publik procesit zgjedhor në Tiranë, që edhe këto vota të kontestuara dhe të identifikuara për kandidatët e Bashkisë së Tiranës të merren, këqyren, të vlerësohen, rinumërohen dhe të reflektohen në rezultat për kryetarin e Bashkisë së Tiranës”, - tha Kaso. Por përveç kërkesave të tyre, meqenëse çështjet u bashkuan në një, si avokatët, ashtu dhe përfaqësuesit e partive politike iu është dashur të flasin dhe për kërkesën e kundërshtarit politik. Kështu, socialistët kanë kundërshtuar kërkesën e PD-së, me argumentin se me anë të saj po kërkohej të bëhej publicitet për një proces jo të rregullt zgjedhor. Ndërkohë, demokratët nga ana e tyre kanë kundërshtuar kërkesat e socialistëve me arsyetimet e dhëna edhe gjatë procesit të miratimit të vendimeve 710 dhe 711, duke theksuar se është detyrim kushtetues që të numërohet çdo votë e çdo shqiptari. Thuajse në të njëjtat linja që kanë qenë përfaqësuesit e partive, kanë qëndruar dhe anëtarët e KQZ-së. Sipas demokratëve, kërkesa e paraqitur nga PD është legjitime pasi mbështetet në ligj dhe kërkon rivlerësim të votave të caktuara, ndërkohë që ajo jep dhe fakte dhe prova konkrete se ku bazohet. Anëtarët e majtë e kanë konsideruar kërkesën e demokratëve nonsens logjik, pasi ishte hera e parë që kandidati fitues godet vendimin e shpalljes së tij. Dëshira Subashi ka shkuar edhe më tej, duke theksuar se KQZ, me numërimin e 535 fletëve të gjendura në kutitë e gabuara, e futi procesin në kaos sepse shifrat tashmë nuk rakordojnë më. Në përfundim, KQZ ka votuar me katër vota pro dhe tre kundër kërkesën e demokratëve për administrimin e provave, dhe më pas dhe kërkesën e socialistëve, por kësaj here me 7 vota pro. Ky duket se do të jetë një hap formal, pasi pavarësisht vullneteve që mund të kenë palët, kundërshtitë për secilën kërkesë e bëjnë të pamundur miratimin e tyre. Kjo pasi Kodi Zgjedhor përcakton se për të miratuar një kërkesë ankimore kundër tabelës së rezultateve për një njësi duhen 5 vota, çka asnjëri krah nuk i ka në KQZ.