Berisha: Nuk ka gjykatës që të prekë votat e pavlefshme
TIRANË- Rinumërimi i votave të pavlefshme, që në Tiranë janë plot 6730, për Partinë Demokratike janë një obsion i pamundur. Kryeministri Sali Berisha ka përjashtuar dje këtë variant, teksa ka sqaruar para deputetëve demokratë në mbledhjen e grupit parlamentar se e vetmja mundësi ligjore është rinumërimi i votave të kontestuara. “Sistemi ynë aktual zgjedhor ka si shtyllë të parë dhe të fundit dhe kryesore të sigurisë, të drejtën e kundërshtimit. Ky sistem, në dallim nga sistemi i mëparshëm, që në çdo rast të rezultatit të ngushtë, autorizonte rinumërimin automatik, ky e përjashton këtë. Ky nuk lejon të prekësh asnjë votë me të cilën, komisioner a vëzhgues në qendrën e numërimit kanë qenë të gjithë dakord. Mbi ato nuk ka gjykatës, nuk ka KQZ dhe ato nuk preken, sepse aty është unanimitet i plotë. Por sistemi bazohet në të drejtën e çdo komisioneri, çdo vëzhguesi të cilësdo force politike, që vetëm duke ngritur dorën, të vendosë veton për çdo fletë votimi që atij i duket se nuk është ashtu siç thonë të tjerët, për çdo kuti votimi, për çdo mbledhje e zbritje të rezultateve që bëhen, shumim të rezultateve në qendër të votimit”, - tha dje Berisha. Për të sqaruar më tej deputetët demokratë, Berisha e ka radhitur numërimin e votave në tre kategori. “Imagjinoni që në 252 mijë fletë votimi të numëruara në qytetin e Tiranës, nuk janë as 300-400 vota të kontestuara që duhet të rivlerësohen. Të gjitha të tjerat pa përjashtim janë të miratuara me unanimitet. Pra, për ta qartësuar, në procesin e numërimit ka tre produkte; vota të vlefshme janë ato të cilat kanë marrë votën e të gjithë komisionerëve dhe vëzhguesve, vota të pavlefshme janë vetëm ato për të cilat janë votuar si të tilla nga të gjithë komisionerët e vëzhguesit dhe kategoria e tretë janë votat e kundërshtuara, të cilat kanë fituar të drejtën e qytetarisë për t’u rishqyrtuar, për t’u vlerësuar dhe rilexuar në të gjitha instancat e shqyrtimit të ankesave të sistemit zgjedhor nga KZAZ, tek KQZ e tek Gjykata e Apelit”, - tha ai. Kryeministri ka theksuar sërish arsyet se pse PD-ja kërkoi rinumërim të votave të kontestuara. “Për të mbrojtur sistemin. Në qoftë se kjo injorohet, atëherë ai ose ajo komisionere, ai ose ajo vëzhguese në qendrën e numërimit nesër, do druhej, do hezitonte të ushtronte të drejtën e votës, pasi do konstatonte se nuk u përfill nga politika. Ndaj dhe ne vendosëm, ndonëse zoti Basha është me 81 vota para, ndonëse në Tiranë ne kemi fituar këshillin bashkiak, kemi fituar 7 minibashki, kemi fituar këshillat e minibashkive, vendosëm, për hir të integritetit të këtij sistemi, të respektit të atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, komisionerë apo vëzhgues të PD-së a të PS-së, apo forcave të tjera politike, që në tryezë tek numëronin, ngritën dorën për të kundërshtuar një dokument, t’u japim një mesazh të qartë atyre se qëndrimi i tyre nuk shpërfillet, qëndrimi i tyre nuk shkelmohet, por ai do ketë vlerësimin e plotë në përputhje me ligjet e vendit”, - tha ai. Berisha komentoi edhe djegien e afateve nga ana e PS-së për ankimimet në KQZ. “Çfarë ndodhi këto dy ditë? Ju e patë vet, zoti Rama, i cili kishte 144 orë afat për të paraqitur, në qoftë se donte 155 ankesa. Por ai dorëzoi vetëm 2 ankesa dhe ato natyrisht i ka me ato vota që ai i quan klandestine, - që po të kishte skafe do të shkonte t’i hidhte në mes të detit, por nuk ka se kemi bërë Moratoriumin - dhe jo me votat e qytetarëve që i ka qeverisur 11 vjet, të hedhura të pastra si kristal, të qarta si rrezja e diellit, të të gjitha kategorive, përfshi dhe nivelet më të larta. Pra, pasi paditi këto vota, nuk bëri asnjë padi tjetër. Pardje, ai nxori avokatin e tij të ri Gramoz Ruçi, i cili tha se ka mospërputhje në tabela, etj, etj. Por kush të pengoi ty, o zotëri që, në 144 orë, t’i mund të kishe paditur të paktën 2000 kuti votimi dhe tabelat e tyre? Por nuk e bëre, por e bëre pasi u mbyllën të gjitha afatet ankimore?”, tha ai.
N.Perndoj