Riaktivizohet zjarri në Çërrilë të Mallakastrës, ndërhyhet edhe nga ajri

Një vatër zjarri është riaktivizuar pasditen e sotme në Çërrilë të Mallakastrës, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pyll me pisha. Flakët po përhapen me shpejtësi, duke alarmuar banorët e zonës.
Për neutralizimin e zjarrit në terren po punojnë 4 mjete zjarrfikëse, 30 forca të Forcave të Armatosura dhe 20 forca bashkiake. Ndërhyrja po vështirësohet ndjeshëm nga terreni i thyer, i cili e bën të vështirë afrimin e mjeteve dhe forcave pranë vatrës së zjarrit.
Pas kërkesës për ndërhyrje nga ajri, në zonë ka mbërritur edhe një helikopter, i cili do të angazhohet në operacionin për shuarjen e flakëve. Pavarësisht përhapjes së zjarrit, vatrat ndodhen larg zonës së banuar, duke mos paraqitur deri tani rrezik të drejtpërdrejtë për banorët.
/rtsh.al/