Riatdhesimi i 5 qytetarëve nga Siria, ambasada e SHBA vlerëson Shqipërinë: Një fitore për sigurinë globale

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka vlerësuar Shqipërinë për riatdhesimin e pesë shtetasve shqiptarë nga Siria, dy gra dhe tre fëmijë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada amerikane e cilëson këtë operacion si një hap të rëndësishëm për familjet e riatdhesuara, por edhe për sigurinë globale.
“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë Shqipërinë për riatdhesimin e shtetasve të saj nga Siria, dy gra dhe tre fëmijë të kthyer së fundmi, të cilëve u mundësohet një e ardhme me mbështetje për rehabilitim dhe riintegrim. Një fitore për këto familje dhe për sigurinë globale”, shkruhet në postimin e ambasadës.
Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre tre të mitur dhe një e moshuar 79-vjeçare, u kthyen në atdhe nga Siria më 26 gusht, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në zonat e konfliktit dhe kampet në Siri.
/rtsh.al/