E Diel, 1 Nëntor 2026

Transporti publik redukton flotën, qytetarët përballen me pritje të gjata në stacione

Ashtu siç kishin paralajmëruar, shoqatat e transportit publik kanë reduktuar numrin e mjeteve në qarkullim me rreth 30 % . Si pasoj e këtij vendimi, qytetarët janë përballur me pritje të gjata nëpër stacione që në orët e para të mëngjesit.

Sipas operatorëve, masa për reduktimin e flotës në qarkullim lidhet drejtpërdrejt me vështirësitë financiare që po kalojnë kompanitë e transportit. Ata argumentojnë se kostot e larta të operimit dhe mungesa e mbështetjes financiare i kanë detyruar të reduktojnë kapacitetin e shërbimit.

Ulja e numrit të autobusëve ka sjellë intervale më të gjata dhe në disa linja, rrezik për mbingarkesë më të madhe të mjeteve, duke ndikuar drejtpërdrejt te pasagjerët.

Më herët Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban u kanë kërkuar ministrive të linjës dhe Bashkisë së Tiranës ndërhyrje urgjente për përballimin e situatës. Kërkesat kryesore të tyre janë realizimi i kompensimeve dhe vijimi i paketës anti krizë, derisa sa çmimi i karburantit të ulet në nivelin që ishte përpara nisjes së konfliktit në lindjen e Mesme.

Sipas operatorëve të transportit publik, shërbimi do të vijojë, por operimi me të gjithë flotën nuk është më i përballueshëm në kushtet aktuale. Pas kësaj mase ata presin ndërhyrje konkrete nga institucionet për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

Gazetar: H. Mahmutaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›