Riatdhesohen nga Gjermania, dhjetëra kosovarë romë
Dhjetëra kosovarë që deri më tani kanë jetuar në Gjermani, sot kthehen në mënyrë të detyrueshme në Kosovë. Riatdhesimi i tyre shënon edhe zyrtarisht zbatimin e marrëveshjeve që Qeveria e Kosovës i ka nënshkruar me vendet anëtare të BE-së.
Në Kosovë sot ka nisur edhe zyrtarisht procesi i riatdhesimit të kosovarëve nga shtetet perëndimore. Aeroplani i parë nga Gjermania ateroi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me dhjetëra mërgimtarë, të cilët nuk e kanë pasur të definuar statusin e qëndrimit të tyre në këtë vend, bëjnë të ditur zyrtarë qeveritarë.
Fisnik Rexhepi, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se kjo ministri ka bërë verifikimin e identitetit të të gjithë qytetarëve, që sot janë kthyer në mënyrë të detyrueshme nga Gjermania.
Edhe pse më herët është thënë se të gjithë të kthyerit i takojnë komunitetit rom, autoritetet kompetente pohojnë se të kthyerit u përkasin të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend, ndonëse numri më i madh i takon pakicës rome.
"Ne jemi në kontakt me Qeverinë gjermane për të bërë riatdhesimin e disa qytetarëve të Republikës së Kosovës sipas procedurave dhe standardeve të operimit që janë në fuqi, në përputhje me strategjinë e riatdhesimit që është miratuar nga Qeveria e Kosovës", shpjegon Rexhepi.
Me verifikimin e identitetit të tyre përfundon edhe puna e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas procedurave për riatdhesim, pas arritjes së kosovarëve në aeroport, duhet të kujdeset Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale.
Muharrem Ahmeti, këshilltar i lartë në këtë ministri, thotë se ky institucion kujdeset vetëm shtatë ditë për personat e riatdhesuar, ndërkaq, pas kësaj periudhe, ata duhet vetë të gjejnë ndonjë zgjidhje.
"Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bazë të ligjit, i takon t'i presë të gjithë njerëzit që riatdhesohen në Kosovë. Kështu që ministra ka kontraktuar një kompani që merret me shërbimet teknike dhe do të bëjë akomodimin e tyre".
"Për shtatë ditë do t'i vendosë në hotele apo te të afërmit e tyre, ndërkaq pas shtatë ditësh ata duhet ta zgjedhin vetë çështjen", thotë Ahmeti.
Për shkak të buxhetit të kufizuar, Ministria e Punës nuk ka mundësi të gjejë ndonjë zgjidhje më afatgjate, thotë Ahmeti, përveçse t'i regjistrojë në listat e skemave sociale.
"Duke ditur që situata sociale edhe ashtu është e rënduar në Kosovë dhe buxheti i Ministrisë së Punës është shumë i ngarkuar, ky fluks i madh i refugjatëve që do të kthehet, do ta rëndojë edhe më shumë. Kështu që do të jemi në një gjendje shumë të vështirë", shprehet ai.