E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ribotohet e plotë Albania e Konicës

Njëqind e një vjet pas botimit të numrit të parë “Albania” vjen si një përmbledhje për të gjithë shqiptarët. Mbesa: “Trashëgimtarë të shtirur kanë abuzuar me emrin e tij. Do të merrem seriozisht me të drejtat për botimin”

Ka qenë një ceremoni modeste ajo e pasdites në Ministrinë e Kulturës për të prezantuar një ndërmarrje të madhe. Ribotimin e plotë, sipas origjinalit të revistës “Albania” të Konicës. Përballë heshtjes është e mbesa, Alma, ajo që mban në duar vëllimin e parë, i cili përfshin numrat e vitit të parë të revistës që kur nisi të botohej në Bukuresht më 1897-n. Në vazhdim do të prezantohen 11 vëllime të tjera për 13 vite të botimit të kësaj reviste, për të cilën Noli shkruante: “Historia e Rilindjes shqiptare mund të gjendet vetëm në ‘Albania’-n e Faikut. Në prani të zv.ministres Suzana Turku dhe të pak njerëzve të njohur, promovimi i këtij vëllimi të parë ka kaluar pa ndonjë bujë të madhe. Ka qenë një iniciativë private e mbesës së tij, Alma Konitza. “Ribotimi i Konicës duhet të ishte bërë me kohë. Nga viti 1897, kur filloi botimi deri më 1909-n kur u mbyll, është një periudhë shumë intensive e historisë së Shqipërisë. Po të shfletohet me shumë kujdes, “Albania” e Konicës që përbën jo më pak se 4000 faqe të formatit të madh, është një enciklopedi e plotë e historisë së asaj periudhe të Rilindjes Kombëtare deri në prag të shpalljes së pavarësisë”, shprehet Halim Maloku, redaktori i kësaj përmbledhje. Sipas tij, puna ka nisur që në fillim me një parim të qartë: do të ribotohet plotësisht siç është në origjinal, pa asnjë shtesë, pa asnjë ndërhyrje, pas asnjë ndryshim. Njëqind e një vjet pas numrit të parë, “Albania” vjen në formën e një libri për të gjithë. Pas këtij angazhimi, mbesa shprehet se i duhet të mendojë edhe për abuzimet e shumta që janë bërë me të drejtën e botimit në emër të familjarëve të saj.

çfarë ju shtyu të ndërmerrni iniciativën për ribotimin e plotë të revistës “Albania”?

Më 15 prill (jo 15 mars siç shkruhet gjithandej) u shënua 134-vjetori i lindjes së Faikut. Duke parë se asgjë nuk u bë në këtë drejtim, të paktën të ishte vendosur qoftë edhe një afishe lajmëruese, vendosa të bëj promovimin e këtij ribotimi. Puna ka nisur shumë vite më parë, duke parë abuzimin që bënin persona të ndryshëm në emër të familjarëve të mi për biznes. Kanë qenë të shumtë ata që kanë përfituar dhe na kanë mënjanuar totalisht. Atëherë vendosa që këtë punë të madhe ta bëja e vetme. Rasti e solli që sot (dje) të bëja promovimin e vëllimit të parë, i cili përfshin edhe vitin e parë të botimit të revistës.

Do të vijnë të plota të gjitha numrat e revistës? A ka ndryshime gjatë botimit?

Unë dhe bashkëpunëtorët e mi i kemi qëndruar deri në fund besnik origjinalit të veprës. Ky vëllim i parë përfshin numrat mujorë të botimit të vitit të parë kur ka filluar në Bruksel (1897-1898). Janë 11 vëllime që përfshijnë 13 vitet që unë mund t’i quaj brilante të drejtimit që Konica i bëri revistës “Albania”.

Cilat burime janë shfrytëzuar për materialet?

I kam gjetur kryesisht nëpër admirues të Faik Konicës. Dikush ka pasur numrin e tretë, dikush të gjashtin, ka pasur familje që në atë kohë kanë qenë të abonuar në këtë revistë. Një ndihmë të madhe na ka dhënë Kuvendi Françeskan në Shkodër.

Ju e keni ribotuar “Albania”-n në një tirazh shumë të vogël. Pse?

Nuk kam pasur mundësi financiare dhe ribotimin e kam përballuar me shpenzimet e mia. Kuptohet që edhe unë jam në borxhe ashtu si Faiku.

Nuk kërkuat mbështetje shtetërore?

Nuk mund ta bëja pa pasur bocetin në dorë. çdo njeri do të donte ta shihte, se përndryshe nuk do më besonin. Kur bëra bocetin iu drejtova Ministrisë së Kulturës, e cila nuk pati mundësi të më mbështeste, sepse kishte sponsorizuar dixhitalizimin që bëri drejtori i Bibliotekës Kombëtare e që për mua ishte gabim.

Ka një konflikt mes jush?

Deri tani jo. Por unë jam mënjanuar nga i gjithë ky projekt, as që është kontaktuar dhe as kam mundur ta takoj drejtorin. I takojnë vetëm brenda sallës të drejtat e Bibliotekës, por nuk mund të shpërndahet. Mënyra e realizimit është jashtëzakonisht e keqe, nuk është e hijshme të punohet në atë mënyrë.

çfarë synoni ju përmes këtij ribotimi?

Dua që çdo shqiptar të dijë se si ka folur Faiku. Dua që të mos përbaltet emri i tij, siç është bërë në vitet e komunizmit nëpër enciklopeditë shkencore ku unë kam punuar në shtypshkronja dhe kam qenë prezente kur janë sharë njerëzit e mi.

Keni vuajtur ju për këtë shkak gjatë diktaturës?

Sigurisht, ndonëse kam qenë e panjohur. Të gjithë e dinin se isha Alma Konitza, por nuk e dinin se kujt familje i përkisja.

Pse qëndruat edhe shumë vite pas ’90-s në heshtje?

Sepse ishin të tjerët ata që donin të mbushnin xhepat me famën e Faikut. Unë nuk e kërkoja dhe nuk e kërkoj as sot. Doja t’u ofroja të gjithëve një model se si mund të mendohet për Shqipërinë. është për të ardhur keq që edhe sot pas 101 vite të botimit të kësaj reviste, Shqipëria është në këtë nivel.

Po thoni se janë të shumtë trashëgimtarët e shtirur që kanë përfituar nga trashëgimia letrare e Konicës. Keni marrë masa?

Sigurisht, ndërkohë që trashëgimtarët realë jam unë dhe motra ime, Evelina Konitza. Unë do filloj të merrem seriozisht me ata që kanë mënjanuar familjarët e mi për të përfituar financiarisht.

Sa kohë ka që jeni ndërgjegjësuar se duhet të merreni seriozisht me mbrojtjen e kësaj të drejte?

Rreth pesë vjet të shkuara. Nuk e kam bërë më parë, sepse do të mbijetoja. Duhet të zgjidhja të isha e papunë që t’i përkushtohesha një ndërmarrje të tillë. Tani kam filluar t’i dedikohem kësaj vepre.

Ka materiale të tjera letrare të panjohura nga Konica. Trashëgoni ju të tilla?

Ai çfarë kishte në kokë dhe në xhepa të gjitha i la për Shqipërinë. Materialet i la në Amerikë dhe unë do të filloj përpjekjet me ambasadat, sidomos me atë zvicerane, për të kërkuar se ku janë gjërat personale të Faikut. Projekti im i tanishëm apo i mëvonshëm është kthimi në identitet i shtëpisë së Faikut dhe familjes sime në muze.

“Albania”

Qëllimi i së përkohshmes “Albania” është ky: të shuhen luftërat, të mos derdhet më gjak në Shqipëri, po të ketë paqe dhe bashkim, e me udhërim të Lartmadhësisë së Tij, Sulltanit edhe me ndihmën e Zotit të Madh të bëhen shkolla shqipe dhe kombi shqiptar të vejë përpara në dituri dhe në mirësi dhe të kuptojë ku janë ntreshtet e tij të vërteta...

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›