Kriza greke, Europa i trembet infektimit
Agjencia angleze e sondazheve, “Moody”, ka dhënë alarmin se kriza greke mund të infektojë sistemin bankar të shumë vendeve të Europës, ku më të rrezikuarat janë: Portugalia, Spanja, Italia, Irlanda dhe Britania e Madhe. Në një koment special të titulluar "Sovereign Contagion Risk", shkruhet mbi impaktin që mund të ketë situata në Greqi mbi bankat e Europës Jugore, të Irlandës dhe Britanisë së Madhe. Sipas kësaj agjencie sondazhesh, bankat e këtyre vendeve kanë përpara sfida të nivelit të ndryshëm, por paralajmëron se “rreziku i infektimit mund t’i dobësojë këto diferenca dhe të përfaqësojë një kërcënim shumë real dhe të përbashkët për të gjithë”. Sipas “Moody”-t, kriza financiare greke mund të jetë një rrezik potencial për bankat e këtyre vendeve. Sipas raportit të kësaj agjencie të publikuar nga “France Press”, Portugalia është një nga vendet më shqetësuese për investitorët dhe gjithçka varet nga suksesi që do të ketë paketa e ndihmës për Greqinë dhënë nga BE-ja dhe FMN-ja. Sipas “Moody”-t, edhe sistemi financiar i Spanjës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Irlandës ka nisur të japë shenjat e para të dobësimit. Në raport citohet që Italia, edhe pse ka një sistem bankar të qëndrueshëm, nuk mund të përjashtohet mundësia e infektimit nga Greqia. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Bankës së Italisë, e cila e ka hedhur poshtë këtë vlerësim për rrezikun e mundshëm. Nga ana tjetër, Presidenti i Bankës Qendrore Europiane deklaroi se Greqia nuk mund të krahasohet me Portugalinë dhe asnjë shtet tjetër të zonës euro, pasi shteti helen tashmë nuk është më në prag falimentimi. Kriza greke dhe gjendja e vështirë financiare në disa vende të Bashkimit Europian po e rrëzojnë euron thuajse ndaj të gjitha monedhave të tjera. Ndaj dollarit amerikan, monedha e përbashkët europiane ra dje në nivelin më të ulët që prej marsit të vitit 2009, ku një euro u këmbye me 1.27 dollarë. Vetëm gjatë këtij viti euro është zhvlerësuar me 10.5 për qind ndaj dollarit dhe 3.8 për qind ndaj monedhës britanike paund. Tashmë euro nuk shihet më si monedha më e sigurt në treg, për shkak të pasigurive që ka krijuar kriza greke dhe gjendja e vështirë e Portugalisë dhe Spanjës. Ndërkaq, në një letër të përbashkët, Kancelarja gjermane Angela Merkel, dhe Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, kanë shkruar një letër të përbashkët, ku i kërkojnë Brukselit forcimin e qeverisjes ekonomike europiane për të shpëtuar euron. Letra është publikuar nga e përditshmja franceze “Le Monde”. Të dy liderët europianë i kanë kërkuar presidentit të Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, dhe presidentit të Komisionit Europian, Josè Manuel Barroso, të mbrojnë zonën euro, që rrezikon të jetë në rrezik nga kërcënimi i përhapjes së krizës greke në Portugali dhe Spanjë. Në letër përjashtohet mundësia e përjashtimit të një shteti anëtar të zonës euro, por saktësohet se monedha e përbashkët është në interesin e të gjithëve dhe se nuk mund të lihet kushdo që ta administrojë situatën e tij i vetëm: “Të gjitha shtetet anëtare janë përgjegjëse për tërësinë e zonës euro”, shkruhet në letër. Duke injoruar mosmarrëveshjet mes Francës dhe Gjermanisë për situatën në Greqi, në letër kërkohen rregulla më të ashpra për qeverisjen ekonomike të zonës euro. Ata kërkojnë “sanksione më efikase për të administruar kriza të tilla si ajo e Greqisë”. “Nuk duhet të harrojmë, shkruajnë Merkel dhe Sarkozy, mësimet e turbulencave të kaluara në sistemin bankar”.
#