Rifillon mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, Mete prezanton projektbuxhetin 2024: Mbështetje për rritje të pagave

Ka rinisur mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, pas shtyrjes së saj nga situata e krijuar nga deputetët e PD-së. Mbledhja ka nisur në orën 13:000, ku po bëhet prezantimi i projektligjit për buxhetin 2024 nga ministri i Ekonomisë, Ervin Mete.
Ministri u shpreh se ky projektbuxhet do të mbështesë rritjen e pagave, për të bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi për të arritur një nivel page mesatare 900 euro në muaj.
“Parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8%. Inflacioni në muajin shtator 2023 ka zbritur në nivelin 4.1%, përgjysmuar në krahasim me një vit më parë. Projektbuxheti vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi për të arritur një nivel page mesatare 900 euro në muaj. Parashikon rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve, mësuesve në arsimin parauniversitar, të rendit, të mbrojtjes. Në total efekti në buxhet për sistemin e pagave kap vlerën e 39 milard lekë. Financohet edhe indeksimi i pensioneve. Financimi i projekteve publike për vitin 2024 do të jetë 5.3% e PBB, duke mbështetur rritjen ekonomike për të zhvilluar më tej turizmin e bujqësinë. Ambicia e qeverisë e shprehur në projektbuxhet është që këtë moment pozitiv ekonomik ta kthejmë në mirëqenie për qytetarët duke synuar pagat më të larta në rajon“, tha ministri.
Veprimi i deputetëve të PD-së erdhi për të kundërshtuar vendimin e Komisionit të Etikës ditën e djeshme (31 tetor) për përjashtimin e 6 deputetëve demokratë.
Në videon e siguruar nga RTSH-ja, deputeti Gazment Bardhi dëgjohet teksa debaton me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, duke i kërkuar llogari mbi përjashtimin e tij nga seancat parlamentare.
“Për ça më ke përjashtuar, çfarë kam bërë unë që më ke përjashtuar? Ça rregulloreje? Po ti ke dy muaj që nuk e zbaton atë rregullore”, thotë Bardhi.
U përjashtuan me 10 ditë nga punimet e Kuvendit deputetët e ‘Rithemelimit’: Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Gazment Bardhi dhe me 3 ditë deputeti Saimir Korreshi.
Masa erdhi pas kaosit në Kuvend më 30 tetor, ku opozita bllokoi punimet e seancës plenare.
/rtsh.al/