E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riformatimi i KQZ-së, shpallet vendi vakant për kreun e KQZ-së

03-09-2012 / Gazeta 55

Kodi i ri Zgjedhor: Kuvendi duhet që brenda dy javëve të votojë 6 anëtarët

Riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte një ndër elementët kryesorë të reformës zgjedhore. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, i cili tashmë ka hyrë në fuqi, shumë shpejt do të nisin procedurat për ripërtëritjen e anëtarësisë së institucionit përgjegjës për organizimin dhe funksionimin e proceseve zgjedhore. Duke iu referuar nenit 181 të ligjit zgjedhor, Kuvendi duhet që brenda dy javëve të votojë 6 anëtarët e KQZ-së. Neni përkatës thotë se “Kuvendi, 30 ditë nga data e dekretimit të ligjit, zgjedh anëtarët e KQZ-së”. Duke pasur parasysh se Presidenti i Republikës ka dekretuar Kodin Zgjedhor më datë 17 gusht, atëherë Kuvendi është i detyruar që pas dy javësh të votojë komisionerët e rinj.
Por, një tjetër procedurë është sanksionuar në Kod, përsa i takon kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas Kodit, kryekomisioneri zgjidhet brenda 10 ditësh, pas zgjedhjes së gjashtë anëtarëve. Kësisoj, në bazë të përllogaritjeje të thjeshtë kryetari i KQZ-së duhet të zgjidhet brenda fundit të këtij muaji. Por, zgjedhja kalon për mes një konkursi. Të gjithë kandidatët, të cilët duhet të kenë së paku 10 vjet përvojë pune në fushën e drejtësisë, administratën publike, administrimin zgjedhor, kanë të drejtë të paraqesin pranë Komisionit parlamentar të Ligjeve kërkesën për kandidat të kryetarit të KQZ-së. Më pas, sipas ligjit, Komisioni përzgjedh dy kandidaturat me mbështetjen më të madhe, për t’ia kaluar në votim seancës plenare. Kryetari i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë së gjysmën e votave të deputetëve në Kuvend.
Kodi zgjedhor përcakton se anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë mandat 6-vjeçar, ndërkohë që mandati i kryetarit është 4-vjeçar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›