E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rigjallërimi i ekonomisë pas pandemisë, sektorët që frenuan rënien, masat mbështetëse u siguruan bizneseve likuiditet

Bujqësia e ndërtimi, por edhe turizmi edhe pse funksionoi me vetëm 50% të kapacitetit, ishin sektorët që e mbajtën në këmbë ekonominë shqiptare përgjatë një viti të vështirë me dy goditje të rënda.

Në strukturën tonë të rritjes ekonomike pjesa më e rëndësishme është bujqësia e cila kontribuon me 20%. Duke performuar bujqësia, ekonomia mundi të frenonte rënien.

Por krahas këtyre, një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe masat e ndërmarra nga qeveria përmes së cilave biznesit u krijua hapësira për të siguruar likuiditet, ndërsa rindërtimi rriti punësimin. Këto të dyja bënë që të kishte edhe një shtim të konsumit në vend përgjatë një viti të vështirë.

Qeveria mbështeti jo vetëm individin, por edhe sektorin bankar që të vijonte dhënien e likuiditeteve për biznesin, sepse sektori bankar është edhe ai biznes më vete dhe mund të frenohej.

Garancitë sovrane të lëshuara nga qeveria lejuan që bizneset të kenë mundësi që brenda politikave të tyre të riskut të kishin një bashkëpunim me bankat dhe të kishte një çlirim dhe gjenerim likuiditeti.

Qeveria lëshoi dy garanci financiare. Njëra në shumën 11 miliardë lekë, kryesisht për të mbështetur me paga lufte ata qytetarë që u prekën në punën e tyre për shkak të kufizimeve nga pandemia e virusit Sars-Cov-2 e cila u përdor në masën 5.7 miliardë lekë.

Ndërsa garancia e dytë financiare ishte në shumën 15 miliardë lekë dhe është ende e hapur për kapital qarkullues dhe investime.

Avantazhet e kredisë me këtë garanci sovrane janë kushtet preferenciale të financimit, interes që nuk do të kalojë asnjëherë normën 5%, periudhë pa shlyerje të principalit prej 6 muajsh, garanci 60% nga shteti shqiptar për kolateral si dhe periudhë shlyerjeje 5-vjeçare.

Konferenca e Donatorëve përtej faktit që tregoi shprehje besimi nga shumë vende të botës, krijoi edhe likuiditet në ekonomi

Përtej huasë, qeveria alokoi edhe fonde nga buxheti i shtetit. Paratë krijuan likuiditet shtesë.

Edhe fondet e rindërtimit edhe ato të vaksinimit edhe investimet publike të cilat nuk u prekën në 2020-n dhe u shtuam këtë vit në 7.2% të PBB-së, përbënë një “frymëmarrje” për ekonominë dhe krijuan mundësinë për të dalë më shpejt se vendet e tjera nga pandemia e të shohim më shpejt “dritën në fund të tunelit”.

Po kush janë tre sektorët që performuan më mirë gjatë 2020 e në këtë fillimvit dhe që i dhanë Shqipërisë mundësinë të ketë një rritje ekonomike me -3.3%, kur Europa shënoi rritje ekonomike -7% dhe Ballkani -3.6%.

Referuar treguesve zyrtarë të publikuar nga INSTAT, sektorët që performuan më mirë në këtë vit të vështirë ishin bujqësia, pasuritë e paluajtshme, ndërtimi dhe punësimi. Nëse flasim për punësimin ka treguar që është rritur dhe kjo shihet edhe te rritja e konsumit. Sot po flasim për rritje ekonomike që vjen nga konsumi.

Ndër masat mbështetëse që u ndërmorën nga qeveria menjëherë pas bllokimit nga pandemia ishin pagat e luftës, garancitë sovrane, lehtësi fiskale për biznesin, të tilla si tatimfitimi zero dhe TVSH zero, rritja e pagës minimale, etj. Të gjitha këto luajtën rol të rëndësishëm. Janë elementë që ulin nivelin e të ardhurave në buxhet, por nga ana tjetër janë para që mbeten në duart e konsumatorit dhe i përdor vet individi për të rritur konsumin dhe kështu krijohet zinxhiri.

Shifrat japin optimizëm për 2021. Të ardhurat totale për 4-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 152 miliardë ose 103 % të planit të 4-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat kanë rritje prej 19 miliardë lekësh. Po ashtu edhe eksportet në këtë periudhë arritën vlerën 109 miliardë lekë, duke u rritur me 34,9 %, krahasuar me një vit më parë.

Në fund të javës që lamë pas agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Mood’s konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B1”, si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”.

Në raport theksohet se perspektiva e rritjes afatmesme mbetet e favorshme. Agjencia parashikon se vazhdimësia e politikave, në mbështetje të reformave të nisura, do të jetë shtysa e procesit të integrimit në BE.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›