E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rihapet debati për listat e zgjedhësve

Kodi i ri Zgjedhor/ Ish-kryetari i KQZ, çlirim Gjata, propozon rishikim kompetencash për pushtetin vendor

Listat e zgjedhësve mund të jenë sërish në qendër të debatit politik dhe teknik, i cili pritet të shoqërojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në një kohë kur klasa politike është përqendruar te transparenca e 28 qershorit dhe për pasojë te procesi i numërimit të votave, hartimi i listave ka gjasë të përvijohet si pikë e vështirë për zgjedhjet e ardhshme, si ato lokale, por edhe ato të përgjithshme. Një ide rreth natyrës komplekse të kësaj çështjeje e ka dhënë ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çlirim Gjata, i cili në një prononcim televiziv ka propozuar ndryshimin e dispozitave që kanë të bëjnë me subjektin që harton listat e zgjedhësve. “Ka drejtues, kryetarë komunash apo bashkish që do rikandidojnë, por ai bën listat e zonës ku do të rikandidojë vetë. Ai cakton qendrat e votimit, adresat, ndan votuesit nëpër qendra. Ka shumë në dorë. Këtë veprim nuk e kontrollon, s’ke në kod. Askush nuk e kontrollon”, është shprehur Gjata. Ai ka evidentuar një konflikt interesi që lidhet direkt me mbarëvajtjen e procesit të ardhshëm zgjedhor, e që në kontekstin e tanishëm politik bën aluzione të qarta. Gjata ka propozuar caktimin e një nëpunësi shtetëror, i cili do të mbikëqyret nga komisionerët partiakë, e që për pasojë do të identifikojë përgjegjësinë e procesit. Sugjerimi i tij i bën jehonë një mangësie thelbësore të zgjedhjeve shqiptare, por që në vitin 2009 gjithsesi nuk u shfaq si problemi kryesor. Lidhur me këtë ide, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, mendon se kuadri aktual rregullon kënaqshëm ecurinë e një procesi që ka qenë mjaft problematik më parë. Sipas saj, ndryshimi i dispozitave në këtë drejtim pa dhënë një adresë të saktë për atë që do të jetë përgjegjës i hartimit dhe afishimit të listave është i padobishëm dhe në fakt mund të sjellë probleme. “Pushteti vendor është burimi i rekordeve mbi të cilat hartohen listat. Prandaj edhe ai është organi më i përshtatshëm për këtë gjë, sepse këtë mund ta realizojë ose pushteti vendor, ose qeveria qendrore. Mendoj se palët nuk do të binin dakord nëse përgjegjësia do t’i kalonte qeverisë qendrore për arsye që kuptohen”, tha Subashi. Një “ballafaqim” mendimesh nga dy drejtues të KQZ-së, që sipas asaj që po duket mund të bëjë të kuptueshëm rrugën e debatit të pritshëm për Kodin e ri Zgjedhor. Si arsye më shumë që e bën disi të vështirë këtë kufizim kompetencash është edhe përvoja e shkuar, kur hartimi i listave të zgjedhësve administrohej nga KQZ-ja, çfarë ka rezultuar një proces i vështirë, sidomos për motive logjistike. Megjithatë, gjykimet teknike çojnë në kuptime të qarta për motivet politike dhe interesat e palëve në proces. Kjo, pasi sugjerimet e tanishme, edhe pse u përgjigjen nevojave për përmirësim të Kodit, vijnë në kontekstin e ndezur politik të ditës, i cili problemin e zgjedhjeve e ka më të ndjeshëm se asnjëherë. Krahas ndryshimeve të paralajmëruara për sistemin elektoral, apo edhe numërimin e votave, idetë që lidhen me administrimin e atij që mund të quhet edhe si procesi parazgjedhor kanë një rëndësi të madhe. Kjo, pasi beteja politike e tanishme po krijon një klimë që përcakton një vlerë të shtuar politike edhe për zgjedhjet lokale. Nuk duhet harruar se viti 2007 i shkaktoi PD-së humbjen e qendrave më të mëdha urbane, çka e bën pushtetin e tanishëm më të interesuar se asnjëherë për këtë raund elektoral, ku natyrisht Tirana është pika më kritike.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›