E Diel, 1 Nëntor 2026

Punëtori i autostradës bie nga ura e lartë

36-vjeçari nga Librazhdi punonte për ndërtimin e urave. Policia heton ngjarjen, reagime nga punëtorët

Mesditën e djeshme, teksa merrte pushimin e drekës, një punëtor i autostradës Durrës-Kukës ka rënë nga një urë duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Viktima është 36-vjeçari nga Librazhdi Përparim Kryeziu, i cili punonte prej kohësh si hekurkthyes në kompaninë “Alb-Building”. Ky është aksidenti i dytë brenda pak muajsh në këtë segment të autostradës, ku në fund të nëntorit 2009 humbën jetën dy punëtorë të tjerë. Policia e Shtetit dhe prokuroria kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12.30 të së shtunës në urën 6 të segmentit Kolsh-Kukës, ndërsa punëtorët kishin ndërprerë punën për pushimin e drekës. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se 36-vjeçari Kryeziu punonte prej kohësh si specialist i urave në montimin e trarëve dhe ngritjen e armaturës së hekurit. Ai ka qenë duke punuar bashkë me një numër punëtorësh, në një lartësi prej 70 m, ndërsa me marrjen e sinjalit të pushimit të drekës, ai ka nisur të ecë mbi një platformë llamarine, kur njëra prej tyre është zhvendosur duke shkaktuar aksidentin tragjik. Lartësia tepër e madhe, si dhe mungesa e rripit të sigurimit, ka bërë që rrëzimi të jetë fatal dhe të shkaktojë vdekjen e menjëhershme të punëtorit.
Menjëherë pas aksidentit dhjetëra punëtorë të urave dhe segmentit Kolsh-Kukës kanë ndërprerë drekën dhe janë mbledhur te këmbët e urës, ndërkohë që kolegët e viktimës, ndonëse nuk pranuan të identifikohen, akuzojnë për ngjarjen kompaninë ndërtuese dhe Inspektoratin e Punës, i cili lejon që punëtorët të punojnë pa u siguruar me litar. “Kemi nisur punën në orën 07.00 të mëngjesit me montimin e bazamentit të urës. Duke ecur mes trarëve mbi llamarina ai rrëshqiti dhe u rrëzua, ishte shumë e tmerrshme”, tregon një punëtor, duke shtuar se ai dhe të tjerë punonin të palidhur me rripat e sigurisë.

Policia

Pas aksidentit është njoftuar policia lokale, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Nga këqyrja e trupit të pajetë të 36-vjeçarit nga Librazhdi, është konstatuar se viktima kishte këputur një këmbë dhe një krah, si dhe kishte thyer kurrizin. “Sapo jemi njoftuar kemi shkuar në vendngjarje, ku është konstatuar se 36-vjeçari ka humbur jetën në mënyrë aksidentale. Megjithatë për këtë duhet të kryejmë të gjitha hetimet dhe bashkë me prokurorinë do të nxjerrim edhe një raport të detajuar për ngjarjen. Për momentin mund të them se vdekja e punëtorit dyshohet të jetë aksidentale”, ka deklaruar drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Ali Elezi. Ndërsa prokurori i rrethit sqaron se për këtë ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili do zbardhë aksidentin për vdekje të punëtorit, po pa dhënë hollësira rreth hetimit. Për rreth një orë trupi i viktimës është mbuluar me xhupat e punëtorëve, ndërsa policë dhe punëtorë kanë debatuar për mënyrën e transportimit të tij për në morgun e spitalit. Mësohet se spitali nuk mund ta niste ambulancën për të tërhequr viktimën dhe më pas është gjetur një kamion ku u vendos trupi i pajetë i punëtorit të urave i shoqëruar nga shokët e punës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›