Rihapet gara ndërkombëtare për portin e ri në Porto Romano

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Autoriteti Portual i Durrësit ka rishpallur tenderin për ndërtimin e fazës së parë të projektit për ndërtimin e Portit të ri tregtar të integruar të Durrësit, në Porto Romano.
Afati i fundit për paraqitjen e ofertave është 7 shkurti i vitit që vjen, ndërsa parashikohet që përfundimi i fazës së parë të punimeve të kryhet për 40 muaj.
Fondi limit i parashikuar është 39,3 miliardë lekë.
Fillimisht gara u hap në fund të korrikut të këtij viti. Procesi i tenderimit të Portit të ri në Porto Romano u udhëhoq nga kompania holandeze Royal Haskoning, por për shkak të ofertave të papërshtatshme tenderi u anulua.
Porto Romano është konsideruar si një nga investimet më të rëndësishme portuale në vend, pasi ky port nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë, por do t’i shërbejë edhe Kosovës, edhe Maqedonisë së Veriut, i lidhur përmes hekurudhës me dy porte të thata, përkatësisht në Prishtinë dhe në Shkup.
/a.f/