E Diel, 1 Nëntor 2026

Riintegrimi i të miturve në konflikt me ligjin, bizneset japin mundësi për një të ardhme të re

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Ministri i Drejtësisë Toni Gogu ndau sot historinë e një të mituri në konflikt me ligjin, i cili është riintegruar në shoqëri përmes mbështetjes dhe mundësisë për të mësuar një zanat.

“Ndonjëherë, një mundësi e dytë nis me një fjali: ‘Eja, do të të mësoj një zanat’”, shkruan Gogu, teksa ndan videon që tregon historinë e riintegrimit të të miturit.

Sipas ministrit, për një të mitur në konflikt me ligjin, mundësia për të mësuar një profesion dhe për të punuar mund të jetë një hap i rëndësishëm për ndërtimin e së ardhmes.

“Riintegrimi funksionon kur bizneset hapin dyert”, thekson Gogu.

Në videon e publikuar nga ministri, pronari i një berberhaneje tregon për përvojën e biznesit të tij në mbështetjen e të miturve në konflikt me ligjin.

“Ne si biznes gjithmonë kemi qenë të gatshëm për të mbështetur të mitur që kanë pasur konflikt me ligjin. Kemi pasur një rast që e kemi mbështetur për gati 6 muaj. E kemi certifikuar”, shprehet ai.

Pronari i berberhanes nënvizon se mbështetja e këtyre të miturve nuk duhet të shihet vetëm si përgjegjësi e institucioneve.

“Mbështetja e këtyre të miturve nuk është vetëm detyrim i Ministrisë së Drejtësisë, por është detyrim i gjithë shoqërisë tonë, i gjithë familjarëve tanë, i gjithë bizneseve”, thekson ai.

Në fund, ai u bën thirrje bizneseve dhe shoqërisë që të kontribuojnë në procesin e riintegrimit të të miturve në konflikt me ligjin, në bashkëpunim me institucionet.

“Atëherë unë do të bëja një thirrje që të gjithë së bashku t’i mbështesim këta të mitur, duke qenë partnerë me të gjitha institucionet”, shprehet pronari i biznesit.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›