Rijetësimi i Zdrales, IKMT nis shembjen e objekteve pa leje pranë lumenjve Drin dhe Buna

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit ka nisur aksionin për prishjen e strukturave të paligjshme në zonat pranë brigjeve të Lumit Drin dhe Bunë në Shkodër.
Ky aksion po zhvillohet në pikën e bashkimit të dy lumenjve Drin dhe Bunë. Sipas njoftimit të IKMT-së, parashikohet prishja e dy objekteve 1 deri në 3 kate si dhe strukturave të tjera ndihmëse.
“Planifikohet vijimi i aksionit dhe në zona të tjera përfshirë struktura të paligjshme të vendosura në Liqenin e Shkodrës. Këto aksione janë të domosdoshme dhe kontribuojnë në menaxhimin e burimeve ujore, sidomos në drejtim të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet”, thuhet në njoftim.
Projekti për rivitalizimin e Zdrales përbën një investim prej 2.5 milionë eurosh dhe tashmë ka përfunduar ndërtimi i infrastrukturës nëntokësore.
Shkodra po përjeton transformimin urban me një sërë projektesh të reja që aktualisht po zbatohen në lagjet kryesore të qytetit, me vlera të spikatura historike dhe arkitekturore, mes të cilave edhe zona historike 300-vjeçare e Zdrales, programi për vitalizimin urban të së cilës, u lançua nga Bashkia e Shkodrës.
E degraduar për dekada të tëra nga ndërtimet pa kriter dhe mungesa infrastrukturës, Zdralja e mirënjohur edhe si zonë me aktivitet të gjerë tregtar, po rienergjizohet gradualisht drejt rilindjes së traditave më të bukura që ajo ka mbartur ndër vite. /j.p/
