E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikardo Kaka rikthehet tek ekipi i Milanit

Ditë të mira për Milanin. Pas fitores 3-1 ndaj Kaljarit, që ishte fitorja e parë për këtë sezon në Serinë A, duket se kuqezinjtë godasin edhe në merkato. Akordi me Real Madrid për Kakanë është arritur pas takimit kokë më kokë të Adriano Galianit dhe Florentino Perez. Lojtari vjen me parametra zero, pas 4 sezonesh tepër zhgënjyese me madrilenët. Në orët e ardhshme fantazisti do të rikthehet në Milano dhe do të bëhet gati për skuadrën e drejtuar nga Alegri. Dy vjet kuqezi, pas atyre viteve të mrekullueshme me këtë fanellë, me të cilën u shpall edhe fitues i “Topit të Artë”. Një goditje e bujshme për Milanin, kjo sepse Alegri kishte paralajmëruar se ekipi kishte nevojë për aspektin tekniko-taktik. Milanistët e prisnin këtë ngjarje prej dy vjetësh, por tashmë do t’i takojë Alegrit të gjejë formulën më të mirë të mundshme, duke ditur se ka në dispozicion edhe Balotelin dhe El Sharauin.
Sa u përket financave, një magji e Milanit: e bleu për 8,5 milionë euro në 2003, e shiti te Real për 67,2 milionë në 2009 dhe e riblen tashmë, por me kosto zero... Meritë e veçantë e Adriano Galianit. Tani Milanit nuk i mbetet gjë tjetër, të luftojë fort në të dy frontet, në kampionat dhe Champions league, aq më tepër që në kompeticionin europian ka një grup shumë të fortë, ku ndodhet edhe Barcelona. (E.Ilnica/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›